Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në shënimin e 27 vjetorit të masakrës në Burgun e Dubravës.
Ajo tha mes tjerash se pesha e krimit bëhet edhe më e rëndë kur dihet se të burgosurit shqiptarë nuk ishin aty rastësisht.
“Në pranverën e vitit 1999, në Dubravë u sollën njerëz nga burgje e qendra ndalimi, nga Kosova por edhe nga Serbia. Të dënuar politikë, të dënuar për vepra të ndryshme, të arrestuar në rrethanat e luftës u grumbulluan aty. Të gjithë u gjendën brenda atij burgu që ishte kthyer në instrument të krimit shtetëror”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, në Dubravë, shteti serb e ndërtoi krimin mbi një kurth të dyfishtë.
“Së pari, i mbajti të burgosurit shqiptarë brenda një objekti që e kishte futur në logjikën e luftës. Pastaj, kur rreziku i bombardimit u bë i afërt, ata që mbanin çelësat u larguan për t’u fshehur, ndërsa shqiptarët e burgosur aty mbetën të mbyllur. Mbi atë braktisje të qëllimshme u ngrit edhe mashtrimi: që vrasjet t’i visheshin sulmeve të NATO-s. Më 19 maj u goditën objektet e burgut, përfshirë pavijonet, ndërsa më 21 maj pati sërish goditje gjatë ditës në objektet e burgut dhe rrethinë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tutje tha se disa prej të burgosurve shqiptarë, që ndodheshin jashtë pavijoneve për punët e zakonshme të burgut, morën veglat që kishin pranë dhe nisën t’i thyenin dyert e drynat për t’i nxjerrë shokët jashtë qelive.
Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bëri sot homazhe në nderim të të vrarëve, të plagosurve dhe të mbijetuarve të masakrës në Burgun e Dubravës, ndërmjet 19 dhe 24 majit të vitit 1999.
Në fjalën e tij, ai tha se të burgosur politikë, civilë shqiptarë, u vranë mizorisht, ndërsa theksoi se emrat e viktimave të Dubravës, të gdhendur në memorial, janë aktakuzë e përhershme kundër atyre që urdhëruan, organizuan dhe ekzekutuan këtë krim.
“Dubrava mbetet dëshmi për ekzekutimet masive e gjenocidale të shqiptarëve, për torturat dhe keqtrajtimin ndaj të burgosurve shqiptar, por edhe për shpirtin liridashës të të burgosurve politikë, që nuk thyhej e nuk dorëzohej para torturave në burgjet serbe”, tha kryeministri në detyrë,

