Nënkryetarja e PDK-së, njëherit kandidate për deputete të Kuvendit të Kosovës nga kjo parti, Vlora Çitaku e ftuar në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka kritikuar qeverisjen e deritanishme të Lëvizjes Vetëvendosje.
Çitaku në “Rubikon” tha se Kosova është në një cikël të pafundëm krizash, duke e quajtuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si ‘gjenerator i të gjitha krizave’.
“Tani e dy vite, Kosova ka hy në një cikël të pafundëm krizash. Fatkeqësisht nuk flitet më për një krizë politike e institucionale, Kosova është në krizë të thellë shoqërore, në krizë të thellë ekonomike dhe çka është më e rënda është në krizë të thellë morale. I vetmi njeri që duket që nuk është në krizë në këtë vend është Albin Kurti, sepse ai është gjenerator i të gjitha krizave në Republikën e Kosovës tani e dy vite”, tha fillimisht ajo.
Tutje, sipas Çitakut në Kosovë në krizë janë kategori të ndryshme të qytetarëve si; mësuesit, mjekët, bujqit, ndërmarrësit e pensionistët.
“Mësuesi është në krizë sepse nuk ka mjetet e domosdoshme në klasë, mjeku është në krizë sepse i mungojnë barnat, bujku është në krizë sepse nafta është shtrenjtuar, ndërmarrësi është në krizë sepse energjia është shtrenjtuar, pensionisti është në krizë sepse pensioni nuk i mjafton për barna e lëre më të jetoj dinjitetshëm. Sot secili është në krizë, përveç Albin Kurtit, sepse në fakt ai mbijeton nga kriza”, shtoi Çitaku.

