Në një tubim të madh me qytetarë në Prizren, Presidentja e 6-të e Kosovës dhe kandidatja e LDK-së për mandat të dytë, Vjosa Osmani, ka përcjellë mesazhe të fuqishme politike duke u nisur nga pesha historike e qytetit të Lidhjes.
Osmani theksoi se mesazhi i Prizrenit në momente vendimtare është se shqiptarët fitojnë kur bashkohen dhe humbin kur përçahen. Ajo porositi se këto zgjedhje janë vendimtare për drejtimin e vendit.
“Republika forcohet kur institucionet bashkëpunojnë, kur respektojnë njëra-tjetrën dhe kur secila e kryen rolin e vet kushtetues me dinjitet dhe përgjegjësi. Vendi jonë nuk forcohet kur një institucion tenton ta zëvendësojë tjetrin”.
Sipas saj, sa më demokratik të jetë një shtet, aq më shumë respektohet mendimi ndryshe dhe ka më pak nevojë për armiq të brendshëm.
“Le të japim mesazhin se Republika e Kosovës është më e madhe se çdo parti, më e madhe se çdo mandat dhe më e madhe se çdo interes i ngushtë politik”, përfundoi ajo.


