Shefi i asamblistëve të LDK-së në Prishtinë, Egzon Pacolli, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe përfaqësuesin e saj në Kuvendin Komunal, Gëzim Sveçla, për “mashtrim të opinionit publik” lidhur me votimin për Rregulloren për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale.
Pacolli thotë se qëndrimi i Vetëvendosjes në publik nuk përputhet me votimin në Kuvend.
“Gëzim Sveçla dhe Vetëvendosje po mashtrojnë opinionin publik,” ka deklaruar ai, duke shtuar se “vota juaj është publike” dhe dokumentet e procesit janë të qasshme për qytetarët.
Sipas tij, në seancën e Kuvendit Komunal nuk është votuar vendosja e ndonjë tarife konkrete, por vetëm lejimi i një faze konsultimi.
“Në Kuvend nuk është votuar vendosja e një tarife prej 10 eurosh për hyrje në Prishtinë,” ka thënë Pacolli.
Ai thekson se bëhet fjalë për një procedurë të rregullt administrative.
“Është votuar vetëm dërgimi në diskutim publik i një rregulloreje,” ka shtuar ai, duke e cilësuar këtë si “procedurë normale dhe demokratike”.
Pacolli argumenton se diskutimi publik është pjesë e procesit vendimmarrës dhe jo vendim final.
“Nuk ka asgjë jodemokratike në diskutimin publik të ideve dhe propozimeve me qytetarët,” ka deklaruar ai, duke shtuar se “demokracia funksionon pikërisht kur vendimet diskutohen hapur”.
Ai akuzon Vetëvendosjen se ka ndryshuar qëndrim publikisht pas votimit në Kuvend.
“Kur erdhi momenti për të votuar në Kuvend, Vetëvendosje votoi PRO. Sot… shtiret sikur ka qenë kundër,” ka thënë Pacolli.
Në fund, ai kritikon ashpër qasjen e tyre politike.
“Nuk mund të votosh pro në seancë dhe të paraqitesh kundër para kamerave,” ka deklaruar Pacolli, duke e quajtur këtë “propagandë dhe manipulim të opinionit publik”.
Deri tani, nuk ka pasur një reagim të detajuar publik nga Vetëvendosje lidhur me këto deklarata

