Shukrije Obërtinca, 16-vjeçarja që dha jetën për lirinë e Kosovës

by Nexhat

Vajza e re nga Fushë Kosova, ajo që la pas bankat e shkollës, dëshirën për mjekësi, kursin e frizerisë dhe ëndrrat e tjera e u bë pjesë e historisë së sakrificës për liri.

Albina Dajaku

banner

Më 27 mars 1989, vetëm katër ditë pasi kishte mbushur 16 vjet, Shukrije Obërtinca nga Lismiri i Fushë Kosovës u vra nga forcat serbe gjatë demonstratave në Prishtinë. Asaj qe iu ndërpre ëndrra e madhe për lirinë e Kosovës dhe heqjen e robërisë, sot përkujtohet përmes një rruge që mban emrin e saj në Fushë Kosovë.

Ndonëse ishte nxënëse e shkëlqyeshme dhe e dhënë pas librave, Shukrija ishte edhe krahu i djathtë i të atit në bujqësi. Po ashtu kishte një lidhje të veçantë me gjyshin e saj, me të cilin shpesh diskutonte për politikë, që ishin temat e saj të preferuara.

Motra e saj, Lumnije Obërtinca, kujton rrugën nga Lismiri drejt Prishtinës kur Shukrija së bashku me të, vëllain e disa të afërm u nisën për në demonstratë duke folur e qeshur.

“Sapo mbërritëm në rrugën “Ilir Konushevci”, dëgjuam të shtëna armësh drejtuar turmës”- thotë ajo.

Lumnija gjithashtu përshkruan momentin kur e motra iu qëllua dhe vdiq në duart e saj.

“Kur i kam parë plumbat si breshër, nuk e di qysh s’janë vrarë më shumë njerëz. Kam vrapuar pas saj, kur ajo u qëllua. Shkova menjëherë, ia kapa kokën dhe ja vendosa në prehër timin. Shukrija më shikoi vetëm një herë, gjaku i rrodhi dhe i mbylli sytë. Më vdiq në duart e mia”- thekson motra.

Në kujtimet e familjarëve, Shukrija mbahet mend si një vajzë e buzëqeshur, me humor dhe e hareshme.

Ndërkohë, babai i saj, Fetah Obërtinca, kujton momentet e fundit me të, kur u ulën të hanin drekë e të pinin çaj, dhe Shukrija i kërkoi leje për të dalë në demostratë.

“Babë, na e kena njet me shku në demonstrata ”- kujton ai fjalët e saj. “ I thash jo, se unë gjithmonë jom shku edhe apet shkoj, amo s’më vetën. Ja u dhashë paret për autobus edhe janë shkue.”- thotë ai.

Tutje shton, se ajo ka qenë nxënëse shembullore dhe vajzë me sjellje të mira.

Deri në luftë, e ëma ka ruajtur mantilin e bardhë të Shukrijes, së bashku me një valigje me rroba dhe krehërin me flokët e saj. Por gjatë luftës, shtëpia është djegur dhe shumë nga kujtimet e saj janë humbur.

Në kujtim të saj, familjari Emin Obërtinca, tashmë i ndjerë, ka realizuar një pikturë të Shukrijes, bazuar në fotografinë e saj bardh e zi. Sot, ajo pikturë mbetet një nga kujtimet e rralla të mbetura të familjes.

Shoqja e saj e bankës, Hatiqe Obërtinca-Hajdini, e kujton Shukrijen si një vajzë të qetë, të dashur dhe gjithmonë të buzëqeshur. Përveç në klasë, ato kanë kaluar kohë së bashku në oborrin e shkollës dhe në pushime të gjata.

“Një muaj para ngjarjes kam fol me të, më ka thënë po shkoj për frizerkë”- thotë shoqja.

Ajo shton se Shukrija kishte flokë të drejtë, të gjatë dhe ishte e veshur me xhinse.

Vajza e hallës së Shukrijes, Dyrije Beqiri, kujton se momentet më të mira i kanë kaluar te dajtë, ku rregullonin flokët dhe ndihmonin njëra-tjetrën, duke ndarë edhe rrobat mes vete.

 Ajo shton se, një nga dëshirat më të mëdha të saj ishte të ndiqte shkollën e mesme të mjekësisë, mirëpo për shkak të pamundësive të regjistrohej në atë drejtim, ajo vijoi më pas kursin për frizerkë.

Vajza e hallës, kujton planet që i kishin bërë së bashku për hapjen e sallonit në të ardhmen.

“Unë e kryej zanatin edhe ti dhe e qelim një sallon, e bojna bashkë. U gëzu shumë e thojke po sa mirë, ka me fillu me kry” – thekson Beqiri.

Në kujtim dhe nderim të sakrificës së Shukrije Obërtincës, në Fushë Kosovë po ndërtohet një çerdhe që pritet të mbajë emrin e saj. Projekti konsiderohet si një shenjë respekti dhe mirënjohjeje për jetën, duke e lidhur emrin e Shukrijes me edukimin dhe të ardhmen e fëmijëve.

Motra e saj, Lumnija, ka bërë kërkesë në Komunën e Prishtinës për vendosjen e një pllake përkujtimore në rrugën ku u vra Shukrije Obërtinca, por kërkesa është refuzuar me arsyetimin se në planet ekzistuese urbane nuk janë të përcaktuara lokacionet për objekte të tilla dhe se kjo çështje do të shqyrtohet në të ardhmen gjatë hartimit të planeve të reja.

E njëjta, ka bërë kërkesë edhe në Komunën e Fushë Kosovës lidhur me ndërtimin e një sheshi përkujtimor për Shukrije Obërtincën, por deri në publikimin e këtij artikulli komuna nuk është përgjigjur.

Askush deri më tash nuk është dënuar për vrasjen e 16-vjeçares.

Autorja është studente e vitit të parë në Departamentin e Gazetarisë në UP. Teksti është shkruar në kuadër të lëndës “Zhanret e gazetarisë”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy