Reagim i MPB ndaj deklaratave të Daut Haradinajt

by Nexhat

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka deklaruar në Debat Plus se Syzana Rankoviq është pajisur me shtetësi të Kosovës dhe është regjistruar si banore e vendit.

Haradinaj tha se posedon dokumente për këtë çështje, të cilat, sipas tij, dëshmojnë regjistrimin e saj si qytetare e Kosovës.

banner

Pas kësaj deklarate ka reaguar MPB, duke thënë:

Ministria e Punëve të Brendshme, përmes këtij reagimi, dëshiron të informojë dhe sqarojë opinionin publik lidhur me deklarimet e pasakta të bëra nga ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), z. Daut Haradinaj, në emisionin “Debat Plus”, në TV Dukagjini, në lidhje me dy persona nga komuniteti serb për të cilët është pretenduar se Ministria e Punëve të Brendshme ua ka dhënë shtetësinë e Republikës së Kosovës.

MPB-ja sqaron se regjistrimi i shtetësisë së personave në fjalë nuk ka asnjë lidhje me Ligjin e ri për Shtetësinë dhe as me procesin aktual të regjistrimit të fakteve të gjendjes civile. Të dy personat janë regjistruar në regjistrat përkatës shumë vite më parë, respektivisht në vitet 2001 dhe 2007.

Sipas të dhënave zyrtare, Milovan Bojović është regjistruar për herë të parë në vitin 2007 dhe ka qenë posedues i dokumenteve identifikuese të UNMIK-ut. Letërnjoftimin e Republikës së Kosovës e ka marrë në vitin 2011. Që nga ajo kohë, ai nuk ka realizuar asnjë shërbim përmes sistemit të Gjendjes Civile. Gjithashtu, vlen të theksohet se i njëjti është arrestuar nga Policia e Kosovës më 8 prill 2016. Fillimisht ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit, mirëpo më pas Gjykata e Apelit kishte vendosur ndërprerjen e kësaj mase, duke mundësuar lirimin e tij. Pas lirimit, ai ishte larguar nga territori i Republikës së Kosovës nga Policia e Kosovës.

Sa i përket personit të dytë, Suzana Ranković, MPB-ja sqaron se ajo është qytetare e Republikës së Kosovës dhe nuk është vajza apo mbesa e Aleksandër Rankovićit, siç është pretenduar në deklaratën e z. Haradinaj. Kjo qytetare ka poseduar letërnjoftim të UNMIK-ut që nga viti 2001, të cilin e ka konvertuar në letërnjoftim të Republikës së Kosovës në vitin 2015.

Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje të gjithë akterëve publikë dhe politikë që para se të bëjnë deklarime publike të verifikojnë faktet dhe të shmangin përhapjen e informatave të pasakta, të cilat mund të dezinformojnë opinionin publik dhe të cenojnë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.

Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit të ligjit, transparencës institucionale dhe ofrimit të informacioneve të sakta për qytetarët e Republikës së Kosovës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy