“Simboli me dy gishta i Rugovës na frymëzoi kundër regjimit të Enver Hoxhës”, Çollaku tregon pse iu bashkua LDK-së për të kandiduar në zgjedhje

by Nexhat

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Kreshnik Çollaku, i cili vjen nga Shqipëria, ka shpjeguar arsyet e angazhimit të tij në këtë subjekt politik, duke theksuar se zgjedhja e LDK-së për të është një vazhdimësi e natyrshme e rrugëtimit të tij politik.

Në FIVE, Çollaku ka deklaruar se është anëtar themelues i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe pjesëmarrës në Lëvizjen e Dhjetorit që solli rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës.

banner

Ai ka rikujtuar periudhën e protestave studentore, duke thënë se simboli i “dy gishtave” i Partisë Demokratike është i lidhur me frymëzimin nga figura e Ibrahim Rugova dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Unë jam anëtar themelues i Partisë Demokratike në Shqipëri. Kam qenë një nga studentët e Lëvizjes së Dhjetorit, që rrëzoi regjimin e Enver Hoxhës. Ky simboli i PD-së me dy gishta është frymëzuar nga Rugova dhe nga LDK-ja.

Në atë kohë kam qenë ndër studentët protestues kundër regjimit të Enver Hoxhës. Ramiz Alia mori një grup studentësh për të negociuar kushtet me studentët. Ne po e ndiqnim nga sheshi. Aty kishte mijëra studentë; dikush ngrinte dorën, dikush dy gishtat, dikush dorën.

Në një moment Ramiz Alia iu thotë këtyre shokëve tanë, ne e dëgjonim në audio: “Mos i ngrini dy gishtat, se na lidhni me atë Rugovën”, me një ton përçmues. Ai ka qenë momenti kur mijëra studentë në shesh ngritën dy gishtat lart. Pra, një lloj solidariteti me Rugovën. Atëherë ishte themeluar LDK-ja, partia e parë antikomuniste në Ballkan.

Dy gishtat u kthyen në simbol të lëvizjes studentore dhe të PD-së. Përveç kësaj, unë jam angazhuar në PD që nga rinia.

Unë në LDK ndihem si në PD në Tiranë, e njëjta familje politike. Kështu që ishte një zgjedhje e padiskutueshme që, nëse do të angazhohesha politikisht, do të angazhohesha në LDK, dhe kështu bëra”, ka thënë Çollaku

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy