Kombëtarja e Iranit për Botërorin “FIFA 2026” mbërriti në Meksikë të dielën në mëngjes, ndërsa ende vazhdon mosmarrëveshja rreth vizave dhe qasjes në stadiumet në SHBA ku ata do të luajnë.
Të gjitha ndeshjet e grupit të Iranit zhvillohen në SHBA, por lojtarëve dhe stafit mbështetës iu është kërkuar të udhëtojnë vetëm ditën e ndeshjes.
Autoritetet iraniane bëjnë të ditur se 15 zyrtarë të tjerë dhe pjesëtarë të stafit mbështetës u janë refuzuar vizat, një akt që zyrtarët iranianë e kanë përshkruar si ndërhyrje politike në sport në formën e saj më të keqe, raporton BBC,
Irani siguroi vendin e tij duke u renditur i pari në grupin e kualifikimeve në mars 2025, pothuajse një vit para konfliktit mes ShBA-së dhe Iranit.
Ky do të jetë edicioni i parë i Botërorit ku një vend mikpritës do të presë ekipin e një vendi me të cilin është në konflikt.
Ekipi iranian u vendos në Tijuana, pas zhvendosjes së bazës stërvitore nga qyteti amerikan Tucson, Arizona, në fund të majit.
Autoritetet amerikane bënë të ditur se vizat për të gjithë lojtarët dhe “stafin e nevojshëm mbështetës” janë lëshuar 10 ditë para ndeshjes hapëse të Iranit më 15 qershor në Los Angeles.
Megjithatë, mediat iraniane raportojnë se 15 zyrtarë, përfshirë kreun e federatës së futbollit, zëvendësin e tij dhe një drejtor për media, ju është refuzuar hyrja në ShBA.
Irani do të luajë edhe kundër Belgjikës në Kaliforni dhe Egjiptit në Seattle në dy ndeshjet e tjera të grupit

