Prania e KFOR-it në Kosovë po zvogëlohet. Pas paralajmërimeve të SHBA-së për reduktimin e trupave të saj në Europë, përfshirë Kosovën, NATO tashmë ka vendosur për këtë.
Para pak ditësh, në përvjetorin e 27-të të hyrjes së trupave të saj në Kosovë pas fushatës ajrore mbi caqet serbe, Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) vlerësoi se “situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht stabile” dhe paralajmëroi zvogëlimin e numrit të trupave të misionit paqeruajtës, KFOR.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte sot foli më konkretisht për këtë, duke e cilësuar këtë vendim si “lajm të mirë” për vendin e vogël ballkanik.
KFOR-i, që është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit për Sundim të Ligjit të Bashkimit Evropian, EULEX, dhe që ka përgjegjësinë e sigurisë përgjatë kufirit të me Serbinë, do të ketë deri në 3.500 trupa. Aktualisht, ky mision përbëhet nga mbi 4.657 trupa nga 31 vende.
“Në këtë moment, ju e shihni që KFOR-i ka rreth 4.700 ushtarë. Ajo çfarë do të bëjmë është që do të kthehemi në nivelet e para vitit 2023. Sigurisht, varësisht nga rrethanat, do të shihni një KFOR me 3.000 deri në 3.500 trupa. Dhe, mendoj se duke pasur për bazë përmirësimin e situatës, KFOR-i do të vazhdojë të jetë i fokusuar në misionin e tij thelbësor”, tha shefi i NATO-s gjatë një konference për media në Bruksel, duke iu përgjigjur një pyetjeje për këtë çështje.
Sipas Rutte, ky zvogëlim trupash vjen pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.
“NATO-ja në janar i dha fund dislokimit të forcave rezervë në KFOR. Kjo ndodhi dy vjet pas rotacionit të vazhdueshëm. Në të njëjtën kohë, ne vazhdimisht po shikojmë për pozicionimin më të mirë për KFOR-in për të ardhmen”, tha ai.
Lajmi nga Brukseli vjen pas disa muajsh raportime dhe diskutime për mundësinë që SHBA-ja ta rishqyrtojë praninë e trupave amerikane në misionet e NATO-s, përfshirë KFOR-in.
Nga SHBA, më pas, erdhi lajmi se pritet të ketë ndryshime në kontributin amerikan në KFOR dhe një zyrtar i Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM) i tha Radios Evropa e Lirë para pak ditësh se vendimi bazohej në rishikimin vjetor të bërë nga Komanda Supreme e Forcave Aleate në Europë (SHAPE), e cila ka rekomanduar përshtatjen e trupave në terren. SHBA është e dyta për nga numri më i lartë i trupave në Kosovë, me rreth 590 paqeruajtës.
“Bazuar në rishikimin më të fundit vjetor të Komandës Supreme të Forcave Aleate në Evropë, NATO-ja do të optimizojë pozicionimin e Forcës së Kosovës (KFOR). Si rezultat, Komanda Europiane e SHBA-së do të bëjë një përshtatje – në faza dhe të bazuar në vlerësim të rrezikut – të kontributit amerikan në KFOR, në përputhje me këtë rishikim të udhëhequr nga SHAPE”, tha ai.
Tash, numri i trupave të KFOR-it në Kosovë pritet që të rikthehet në nivelet e para vitit 2023, vitin ku për shkak të tensioneve në veri të Kosovës, NATO kishte bërë dislokimin e afro 1 mijë trupave shtesë në vend.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë u vendosur në vend në vitin 1999, me afër 50.000 trupa të dislokuar atë vit. Që atëherë, SHBA-ja ndërtoi edhe kampin Bondsteel pranë Ferizajt – baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan.
Numri i përgjithshëm i forcave amerikane në Europë është luhatur mes 75 mijë e 105 mijë që nga viti 2022, sipas Komandës Europiane të SHBA-së – prej tyre, rreth 63 mijë trupa të dislokuara në mënyrë të përhershme.
Nga Gjermania, ku ndodhet numri më i madh i trupave amerikane (mbi 35 mijë), SHBA ka njoftuar në fillim të këtij muaji tërheqjen e rreth 5 mijë trupave brenda 6-12 muajve.

