Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja ka reaguar në një postim në Facebook pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se nuk e konsideron kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përgjegjës për disa kosovarë që morën rrugën për të protestuar kundër qeverisë në Tiranë.
Ish-ministri tha “ishalla s’ka” lidhje Kurti me këtë, por pyeti se pse ai nuk distancohet.
“Dakord Kryeminister dakord, me ty jam, po neqoftese Albin Kurti nuk paska lidhje me kete çorbe qensh dhe ishalla s’ka, pse nuk distancohet qeveria e tij nga ky turp me gjoja “diaspore”?! Gjithesesi une mendoj se nuk ka hajvanllek me te madh se sa te vish nga Kosova per te rrezuar qeverine ne Tirane. Jo vetem se nuk e rrezon dot, po i jep nje dore te madhe armiqve te Kosoves qe do thone ja, shikojini kush jane, nuk rrine dot pa rremuje e pa konflikt as me Shqiperine qe e kane pjese te kombit te tyre!!!”
Rama më herët reagoi për debatin e nxitur nga pjesëmarrja e disa shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat kundër qeverisë së tij në Tiranë.
Një reagim e pati edhe ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Besfort Lamallari, i cili u tha protestuesve nga Kosova që të “kujtojnë” se Rama kishte kërkuar njohjen e Kosovës në Beograd.

