Pas përfundimit të procesit të votimit të fshehtë dhe numërimit të votave, në raundin e parë, me shumicën e votave të gjyqtarëve janë zgjedhur anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, gjyqtarja Valentina Sopjani nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe gjyqtari mbikëqyrës Agron Maxhuni nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, Dega në Vushtrri, njoftoi Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
KGJK tha se procesi i votimit është zhvilluar në përputhje me dispozitat ligjore dhe rregulloret në fuqi për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radhët e gjyqësorit.
“Rezultatet e zgjedhjes do të certifikohen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Pas certifikimit të tyre, anëtarët e zgjedhur do të fillojnë ushtrimin e mandatit pesëvjeçar, duke filluar nga data 8 korrik 2026”.
Biografia e Sopjanit:
Valentina Sopjani është gjyqtare në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Civile në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Gjyqtarja Valentina Sopjani ka diplomuar në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës në vitin 2012. Provimin e jurisprudencës e ka përfunduar në vitin 2016, ndërsa praktikën profesionale e ka mbajtur në periudhën e viteve 2014-215 te Avokati Emrush Kastrati. Nga viti 2015 deri në vitin 2018 ka punuar bashkëpunëtore profesionale në zyrën e përmbaruesit privat Flamur Bogaj. Me 21.01.2019 Valentina Sopjani është emëruar gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Civile, pozitë të cilën ende e mban.
Biografia e Maxhunit:
Agron Maxhuni është gjyqtar në Departamentit e Përgjithshëm – Divizioni Penal në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri. Gjyqtari Agron Maxhuni është i lindur me 08.08.1977 në Maxhunaj – Vushtrri me vendbanim të përhershëm në Prishtinë nga viti 1996, ka diplomuar në vitin 2001 në Universitetin e Prishtinës. Ai kreu provimin e jurisprudencës në vitin 2015. Përvoja e punës: – Programi ABACELI-USAID – Oda e Avokatëve të Kosovës, shkurt 2002- shkurt 2003 – praktikant – Zyrtar i lartë për monitorim të shërbimeve komunale – Ministria e Shërbimeve Publike, qershor 2003 – qershor 2005; – Udhëheqës i Divizionit për zhvillim të legjislacionit – Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, qershor 2005 – korrik 2007; – Drejtor i Departamentit Ligjor dhe Monitorim të Komunave në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, korrik 2007 – Korrik 2016; – Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, 13 korrik 2016 – 31 korrik 2017; Trajnues në: – Institutin e Kosovës për Administratë Publike, Prishtinë Trajnimet – programore të kryera: – Procesi i stabilizim asocimit maj 2005 – mars 2006/BE-SOFRECO – Ligji i Bashkimit Evropian dhe përshtatja e tij me legjislacionin kombëtar – 2008-2009/BE-BS – EUROPE; – Legjislacioni i shërbimit Civil dhe Reforma e Administratës – shtator 2008 – Akademia e Administratës Publike – Gjermani – Ministria e Punëve të Brendshme; – Ligji i Bashkimit Evropian dhe zbatimi 6-17 korrik 2009- ReSPA Luksemburg; – Programi për Arbitër në Tribunalin e Arbitrazhit, shtator 2011 USAID-Oda Ekonomike e Kosovës; – Programi i Masterit – Politikat e BE-së/ISPE tetor 2012; – Programi për Vetëqeverisje Lokale, 11 maj -16 qershor 2016 JICA/Japoni; – Programi i trajnimeve fillestare për gjyqtarë, tetor 2017-tetor 2018, Akademia e Drejtësisë – KGJK, etj.

