Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar zërat dhe prapaskenat që qarkullojnë për mundësinë që kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të synojë marrjen e drejtimit të partisë.
Abdixhiku u shpreh se çdo ambicie brenda partitë është e mirëseardhur dhe e pasuron LDK-në, mirëpo i kujtoi Ramës fillimet e tij në politikë dhe mbështetjen e madhe që i kishte ofruar kur figurat kyçe të partisë as nuk e njihnin.
“Janë krejt të mirëseardhura, çdo ambicie e pasuron LDK-në. Unë kam besuar që z. Rama i shërben Prishtinës, prandaj e kam sjellë kur nuk e ka njohur askush. E kam sjellë, kam dalë me të nëpër çdo degë e nëndegë të Prishtinës kur e kanë sharë të gjithë”, ka deklaruar Abdixhiku në Rubikon, përcjell Insajderi.
I pyetur nga moderatori nëse vërtet “askush s’e njihte” Ramën në atë kohë, kreu i LDK-së zbuloi prapaskenat e takimeve me krerët e tjerë të partisë.
“Në LDK jo. Kur e kam takuar në fillim Gazin, Imrin, Antonin e Lutën, kanë thënë: ‘Kush?’. Gazi më tha: ‘Po më duket e kam njohur në vitin 2004, s’di a është ai’. Pastaj kam dalë në çdo degë e nëndegë të LDK-së dhe u kam thënë ‘shikoni, neve na duhet bashkëpunim i mirë’. Logjika ime ka qenë ‘hajde t’i forcojmë komunat’ dhe dolëm me rezultat të mirë në 7 komuna. Por, këtë s’po e njohin si rezultat… t’i fitojmë komunat një herë e më pas ju të punoni për neve, që ne të fitojmë e ta ngremë LDK-në më lart. Në zgjedhjet e dhjetorit ramë përtokë”, u shpreh Abdixhiku.

