Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të jetësohet.
Gërvalla, ka bërë të ditur edhe se, sot përfundon afati i konsultimit publik për Projektligjin për Byronë, dhe, e njëjta, ka falënderuar qytetarët, ekspertët, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet e drejtësisë që kanë kontribuar me komente, sugjerime dhe vërejtje gjatë këtij procesi.
‘’ Krijimi i kësaj Byroje është një domosdoshmëri shtetërore dhe një zotim i qartë për forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e interesit publik dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës’’, ka thënë ajo mes tjerash.
Postimi:
Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të jetësohet, sepse nuk ka rrugë tjetër për një shtet që synon drejtësi, barazi para ligjit dhe integritet institucional.
Sot përfundon afati i konsultimit publik për Projektligjin për Byronë. Falënderojmë të gjithë qytetarët, ekspertët, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet e drejtësisë që kanë kontribuar me komente, sugjerime dhe vërejtje gjatë këtij procesi. As edhe një koment i vetëm i pranuar nuk do të mbetet pa u trajtuar dhe pa marrë përgjigje. Çdo kontribut do të shqyrtohet me seriozitet dhe përgjegjësi, me qëllim që të kemi një ligj sa më të plotë, funksional dhe të qëndrueshëm.
Krijimi i kësaj Byroje është një domosdoshmëri shtetërore dhe një zotim i qartë për forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e interesit publik dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës.
Pasuria e pajustifikueshme, e krijuar mbi kurrizin, mundin dhe djersën e qytetarëve të Republikës, nuk mund të mbetet e paprekshme. Ajo duhet të verifikohet, të konfiskohet kur nuk justifikohet me burime të ligjshme dhe t’u kthehet qytetarëve, të cilëve u takon.
Sepse në Republikën e Kosovës ligji nuk njeh të paprekshëm. Askush, bash askush, nuk qëndron mbi ligjin, dhe askush nuk mund të pasurohet në kurriz të interesit publik pa u përballur me drejtësinë.

