Analisti Imer Mushkolaj ka deklaruar se debatet dhe përçarjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk janë të reja, duke theksuar se historikisht ato kanë përfunduar me dobësimin e partisë dhe jo me forcimin e saj.
Mushkolaj në “Debat Plus” tha se që nga vitet e para të themelimit të LDK-së kanë ekzistuar pakënaqësi të brendshme dhe sfida ndaj udhëheqjes së partisë.
“Debati në LDK lidhet me largimin e njerëzve të rëndësishëm të partisë. Që nga viti 1991 e deri më sot, pakënaqësitë brenda LDK-së kanë përfunduar me shkatërrimin e partisë e jo me kohezion. Po të kishte pasur kohezion, LDK nuk do të ishte sot në 16 për qind”, u shpreh Mushkolaj.
Ai vlerësoi se rënia e LDK-së është thelluar sidomos pas vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova.
“Pas vdekjes së Ibrahim Rugovës kjo parti ka marrë teposhtën. Gjithmonë ka pasur një grup që e ka sfiduar kryetarin, ndërsa kryetarët, për ta mbajtur pozitën, ose i kanë përjashtuar kundërshtarët nga partia ose ata janë vetëlarguar për shkak të situatës së krijuar”, tha ai.
Sipas Mushkolajt, pakënaqësitë e sotme lidhen edhe me projektin “Rruga e Re” të kryetarit Lumir Abdixhiku, ku, sipas tij, figura të vjetra të partisë nuk u përfshinë.
Ai tha se mospajtimet janë thelluar pas zgjedhjeve të janarit, por u bënë publike vetëm pas deklaratës së nënkryetarit Lutfi Haziri për gatishmërinë e LDK-së për një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Pakënaqësitë e degëve, sidomos të Lipjanit dhe Pejës, u bënë publike vetëm pas deklarimeve të Hazirit për vullnetin për të bërë koalicion me Vetëvendosjen. Deri atëherë nuk ishin bërë publike. U aktivizuan publikisht këto dy degë. Nuk është arsyeja e vetme, por është interesant momentumi pas deklarimit të Hazirit”, deklaroi Mushkolaj.
Ai shtoi se rezultatet zgjedhore dhe raportet e forcave brenda LDK-së tashmë janë të qarta, ndërsa zhvillimet e fundit dëshmojnë se pakënaqësitë në parti po dalin gjithnjë e më shumë në sipërfaqe

