A.R., e cila dyshohet se e vrau 32-vjeçarin F.H. mbrëmë në Ferizaj, paraprakisht pati një mosmarrëveshje dhe një përleshje fizike me viktimën, tha Prokuroria Themelore në këtë qytet.
Sipas Prokurorisë, ekziston “dyshimi i bazuar” se ajo e privoi nga jeta F.H, pas një “mosmarrëveshje dhe përleshje fizike”.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 28 Qershor 2026, rreth orës 22:40 në Ferizaj, rruga, “Sejdi Sejdiu”, e pandehura ka privuar nga jeta tani të ndjerin F.H., pas një mosmarrëveshje dhe përleshje fizike në mes tyre, me të cilën ka kryer veprën penale “Vrasja”, nga neni 172 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Prokuroria tha se A.R. ka pësuar “lëndime trupore” të cilat “dyshohet se i janë shkaktuar nga viktima”.
“Po ashtu, në këtë rast, lëndime trupore ka pësuar edhe e dyshuara A.R., të cilat dyshohet se i janë shkaktuar nga viktima- tani i ndjeri (F.H.,) për të cilat ka marr trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndaj të dyshuarës Prokuroria po kërkon paraburgim, ndërsa babai i saj, i cili fillimisht u ndalua për “sqarimin e përfshirjes së tij në rast”, u lirua.
Vrasja në Ferizaj: Kërkohet paraburgim për të dyshuarën, babai i saj lirohet

