Një grua 71-vjeçare ka rënë në bunar në fshatin Koshare të Ferizajt. Trupin e saj e nxorën zjarrfikësit, tha policia.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
“Sot rreth orës 13:00 stacioni policor në Ferizaj ka pranuar një informatë se një person i gjinisë femërore kishte rënë në një pus (bunar) ne fshatin Koshare. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë policët e stacionit, hetuesit dhe krim-teknikët rajonalë. Një njësi e Brigadës së zjarrfikësve ka ndërhyrë aty dhe kanë nxjerrë trupin nga pusi. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ekipi i Emergjencës së Ferizajt, të cili kanë konstatuar vdekjen e viktimës , femër, 71 vjeçe”.
Veseli tha se lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore.
Rasti është cilësuar “Hetim mbi vdekjen”
“Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për kryerjen e autopsisë”.

