Liverpooli dhe Arsenali e dinë se do të duhet të shpenzojnë një shumë të madhe parash nëse duan të kenë ndonjë shans për të transferuar Bradley Barcolan gjatë afatit kalimtar të verës.
23-vjeçari raportohet se është i pakënaqur me rolin e tij të reduktuar te Paris Saint-Germain dhe ka frikë se mund të ketë edhe më pak mundësi për të luajtur pasi kampionët e Francës konsiderohen favoritë për të transferuar Yan Diomanden nga RB Leipzigu.
Mësohet se Barcola nuk është i gatshëm të nënshkruajë një kontratë të re me PSG dhe është i përgatitur të largohet nga klubi këtë verë nëse nuk merr garanci se do të jetë titullar i rregullt sezonin e ardhshëm.
Që nga transferimi nga Lyon te PSG në vitin 2023, Barcola ka fituar dy trofe të Ligës së Kampionëve dhe tre tituj të Ligue 1, por ai e nisi nga stoli finalen e fundit të Ligës së Kampionëve, të fituar ndaj Arsenalit.
Pikërisht ky vendim konsiderohet arsyeja kryesore pse ai do të shqyrtojë të ardhmen e tij këtë verë.
Si Liverpooli ashtu edhe Arsenali janë në kërkim të sulmuesve të rinj gjatë këtij afati kalimtar dhe do të ishin destinacione tërheqëse për reprezentuesin francez.
Megjithatë, një transferim aktualisht duket i vështirë për shkak të çmimit shumë të lartë që kërkon PSG.
PSG nuk ka asnjë nxitim për ta shitur Barcolan këtë verë dhe nuk ndodhet nën presion financiar për të përfituar nga shitja e tij, edhe pse lojtari ende nuk ka nënshkruar kontratë të re.
Barcola ka ende edhe dy vite kontratë me klubin dhe raportohet se PSG ka pezulluar çdo bisedim për largimin e tij, pasi prioriteti kryesor është arritja e një marrëveshjeje për një kontratë të re me kushte më të mira.
Sipas “The Athletic”, PSG nuk do të lëvizë nga kërkesa e saj financiare dhe e vlerëson Barcolan me të paktën 116 milionë funte në tregun aktual.
Raporti shton se fituesit e Ligës së Kampionëve po përdorin si pikë referimi marrëveshjen e propozuar për transferimin e Elliot Anderson te Manchester City, pasi besojnë se Barcola është një lojtar më i vlefshëm se ylli i Nottingham Forest.
Gjithashtu pretendohet se PSG nuk ka më nevojë ta shesë Barcolan këtë verë, pasi Milani ka rënë dakord të paguajë një shumë rekord për klubin për transferimin e sulmuesit Gonçalo Ramos, në vlerë rreth 64 milionë funtesh. Nëse do të ketë nevojë të sigurojë fonde shtesë, skuadra e Luis Enrique thuhet se do të lejojë largimin e Lee Kang-in dhe Randal Kolo Muani gjatë kësaj vere.
Arsenali dëshiron të transferojë një anësor të majtë për të forcuar skuadrën pas triumfit në Premierligë, ndërsa Liverpooli ka nevojë urgjente për një sulmues pas largimit të legjendës së klubit, Mohamed Salah.
Edhe Manchester Unitedi është lidhur me një transferim të Barcolas, megjithëse prioriteti i klubit është rindërtimi i mesfushës gjatë këtij afati kalimtar.
Barcola shënoi 13 gola dhe dha shtatë asistime për PSG sezonin e kaluar dhe aktualisht është pjesë e kombëtares së Francës në Kupën e Botës.
Ai realizoi golin e dytë në fitoren 3-1 të Francës ndaj Senegalit në fazën e grupeve, dy javë më parë

