Një situatë e pazakontë ka tronditur futbollin kosovar gjatë afatit kalimtar të verës, pasi dy klube të elitës kanë publikuar njoftime krejtësisht kontradiktore për të ardhmen e sulmuesit Bleart Tolaj.
Fillimisht ishte Gjilani ai që prezantoi Tolajn si përforcimin më të ri të skuadrës për sezonin e ri, duke lënë të kuptohet se sulmuesi kishte arritur marrëveshje për t’iu bashkuar klubit nga Anamorava.
Megjithatë, vetëm pak kohë më vonë erdhi reagimi i Ballkanit. Kampionët nga Suhareka zyrtarizuan se kanë arritur marrëveshje me futbollistin për rinovimin e kontratës edhe për dy vite të tjera, duke bërë të ditur se Tolaj do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës edhe në sezonet e ardhshme.
Dy njoftimet e publikuara brenda një intervali të shkurtër kohor kanë krijuar konfuzion të madh në opinionin sportiv, pasi të dy klubet pretendojnë zhvillime të ndryshme për të ardhmen e të njëjtit futbollist.
Për momentin nuk ka një sqarim zyrtar mbi situatën, ndërsa mbetet të shihet se cili do të jetë zhvillimi i radhës dhe nëse njëra nga palët do të dalë me një reagim që do të qartësojë rrethanat.
Deri atëherë, rasti i Bleart Tolajt mbetet një nga episodet më të veçanta dhe më të diskutueshme të këtij afati kalimtar në futbollin kosovar.

