Presidenti i Turqisë, Recep Taip Erdoğan, ka deklaruar në samitin e NATO se vendi i tij do të vazhdojë të ketë rol udhëheqës në misionin e KFOR-it në Kosovë deri në shtator të vitit 2026.
Erdogan tha se Turqia mbetet një nga vendet kryesore kontribuuese në operacionet, misionet dhe financimin e përbashkët të NATO-s, ka raportuar Anadolu Agency,
Duke folur për rolin e Ankarasë brenda Aleancës, presidenti turk theksoi se Turqia komandon ushtrinë e dytë më të madhe tokësore të NATO-s dhe se për dekada siguria e krahut juglindor të Aleancës i është besuar në masë të madhe këtij vendi. Ai tha se prania e Turqisë në misione ndërkombëtare është pjesë e angazhimit të saj për sigurinë kolektive.
Erdogan përmendi edhe angazhimet e tjera të Turqisë në kuadër të NATO-s, duke bërë të ditur se avionët luftarakë turq F-16 do të vendosen në Estoni nga muaji gusht, si pjesë e misionit të patrullimit ajror të Aleancës. Ai shtoi se Turqia është planifikuar të marrë komandën e Forcës së Reagimit të NATO-s gjatë viteve 2028-2029.
Presidenti turk foli edhe për industrinë e mbrojtjes së vendit, duke thënë se Turqia është ndër vendet e pakta të NATO-s që prodhon vetë avionë luftarakë, tanke, anije ushtarake dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.
Ai kërkoi gjithashtu që kufizimet në tregtinë e pajisjeve të mbrojtjes mes aleatëve të NATO-s të hiqen sa më shpejt dhe që iniciativat e mbrojtjes së Bashkimit Evropian të jenë plotësuese të NATO-s, e jo të krijojnë struktura paralele.

