Është mbyllur protesta e 46-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, me qytetarët që kanë përfunduar marshimin e tyre në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pikërisht përballë Kryeministrisë.
Protestuesit e nisën lëvizjen e tyre nga selia e qeverisë, për të vijuar drejt Parlamentit, më pas në zonën e 9-katësheve, drejt Tajvanit, për t’u rikthyer sërish para zyrës së kryeministrit.
Gjatë gjithë marshimit nëpër akset kryesore të kryeqytetit, qytetarët kanë përsëritur thirrjet e tyre të forta kundër qeverisë, ku mes të tjerash kanë ushtuar koret: “O milet, Rama ka siklet!”, “Rama, jep dorëheqjen!”, si dhe slogane të tjera të qëndresës.
Në përfundim të marshimit të sotëm, protestuesit deklaruan me vendosmëri se do të vijojnë qëndresën e tyre edhe në ditët në vijim, duke e mbyllur tubimin me premtimin: “Nesër më shumë!”.

