Krerët e UÇK-së, që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, nuk kanë marrë mbështetjen e duhur nga institucionet e Republikës së Kosovës. Kështu ka deklaruar në emisionin Rubikon, Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku.
Ajo ka vlerësuar se përgjegjësia për ta nuk duhej të binte mbi partinë, por mbi shtetin, pasi siç thotë ajo, ata ndodhen në Hagë si bartës të luftës çlirimtare e jo si përfaqësues partiakë.
“Liderët historikë të PDK-së, themeluesit e PDK-së janë në Hagë duke u përballur me një proces të cilit po i vjen, fatkeqësisht, fundi. Ka qenë një proces shumë i rëndë. Ai proces nuk do të duhej të ishte barrë e një partie, por barrë dhe përgjegjësi e shtetit, sepse ata në Hagë nuk janë si liderë politikë apo partiakë, por si themelues dhe bartës të luftës sonë çlirimtare”, tha ajo.
Sipas Çitakut, mbështetja e institucioneve të Kosovës ka qenë kryesisht financiare por e pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e mbrojtjes.
“Fatkeqësisht ka pasur mbështetje minimale nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe kjo mbështetje është reduktuar në një ndihmë financiare, e cila as përafërsisht nuk i ka mbuluar kostot e larta të mbrojtjes për liderët tanë. Ndërkohë ka pasur zero angazhim politik e diplomatik në mbrojtje të tyre”, deklaroi ajo.
Çitaku nga ana tjetër vlerësoi angazhimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke thënë se ai ka ndërmarrë iniciativa të cilat do të duhej t’i kishte marrë edhe Qeveria e Kosovës.
“Për fatin tonë të mirë si komb, kryeministri Edi Rama e ka marrë mbi vete edhe këtë barrë dhe ka bërë përpjekjet e tij. Atë që do të duhej ta bënte edhe kryeministri i Kosovës. Ka qenë obligim dhe detyrim i çdo shqiptari që ka një trohë pushtet, një trohë fuqi apo një trohë platformë që të angazhohet në mbështetje të luftës sonë të drejtë”, tha Çitaku.

