Komandanti i KFOR’it, Ozkan Ulutash, ka pritur sot në një takim shefen në detyrë të Zyrës së BE’së, Eva Palatova, në Shtabin e KFOR-it në Kampin “Film City” në Prishtinë.
KFOR në njoftim tha se “takimi ofroi mundësinë për të diskutuar për situatën e sigurisë në të gjithë Kosovën dhe për të forcuar koordinimin”.
“Komandanti i KFOR-it shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet KFOR-it dhe Zyrës së BE-së në Kosovë”.
Takimi i tyre vjen pas deklaratës së BE’së se janë plotësuar kushtet për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë edhe për qarkullim të automjeteve.
Gjithashtu, KFOR më herët ka deklaruar se ka nisur “tranzicionin gradual” të pranisë së tij të përhershme në urë.
KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe për garantimin e lirisë së lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në kuadër të roleve të tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

