Zëdhënësja e Komisionit Evropian Anita Hipper, ka folur rreth hapjes së Urës së Ibrit.
Ajo në një konferencë për media tha se pret koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota ndërmjet komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës.
Hipper tha se qëndrimi i Bashkimit Evropian për urën është i qartë.
“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, deklaroi Hipper.
Zëdhënësja e KE-së, foli për gjendjen aktuale, ajo rikujtoi se ura është e hapur për këmbësorë, por jo ende për qarkullimin e automjeteve.
“Ne e kemi bërë vlerësimin tonë, janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim. dhe qëndrimi ynë mbetet se ende presim koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota, të cilat duhet të përmirësohen”, tha Hipper.
Më 10 gusht, misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë bëri të ditur se ka nisur një kalim gradual të kompetencave të sigurisë tek Policia e Kosovës.

