Kina ka paralajmëruar se do të marrë “të gjitha masat e nevojshme” për të mbrojtur interesat e saj, pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të zgjeruar sanksionet ekonomike ndaj Iranit dhe partnerëve të tij tregtarë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, tha se Pekini kundërshton fuqishëm atë që e cilësoi si “sanksione të paligjshme të njëanshme” nga SHBA-ja.
“Bashkëpunimi mes Kinës dhe Iranit është zhvilluar gjithmonë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe nuk duhet të ndërhyhet apo të pengohet”, tha Lin.
Reagimi i Kinës erdhi pasi Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi masa të reja kundër Iranit dhe paralajmëroi se çdo shtet që bashkëpunon financiarisht me Teheranin mund të përballet me izolim nga sistemi financiar amerikan.
Bessent e përshkroi fushatën e re të sanksioneve si “ofensivën më të madhe financiare ndonjëherë” kundër Iranit. Ai tha se bankat dhe bizneset që nuk ndërpresin lidhjet me Teheranin do të përballen gjithashtu me pasojat e sanksioneve amerikane.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje për bankat kineze, Bessent tha se “askush nuk është mbi ndikimin e sanksioneve amerikane”. Ai gjithashtu bëri të ditur se presidenti Donald Trump do të kontaktojë liderët botërorë me kërkesa konkrete për ndërprerjen e marrëdhënieve me Iranin.
Kina është blerësi më i madh i naftës iraniane, megjithëse tregtia mes dy vendeve është zvogëluar nën presionin e bllokadës amerikane ndaj porteve të Iranit.
Përplasja e re mes Uashingtonit dhe Pekinit vjen para bisedimeve të planifikuara mes Trumpit dhe presidentit kinez Xi Jinping muajin e ardhshëm. SHBA-ja pritet të jetë e kujdesshme ndaj një reagimi të mundshëm të Kinës, e cila përpunon pjesën më të madhe të mineraleve të rralla në botë, të rëndësishme për prodhimin e pajisjeve të teknologjisë së lartë.
Ndërkohë, ministri iranian i Ekonomisë, Ali Madanizadeh, tha se Teherani është “plotësisht i përgatitur” për sanksionet e reja amerikane.
“Qeveria është dhe ka qenë e gatshme. Ne kemi një plan dyvjeçar për t’i menaxhuar këto zhvillime”, tha ai për televizionin shtetëror iranian.
Madanizadeh shtoi se Irani ka “mjetet e veta” dhe di se si të përballet me situatën, duke thënë se Teherani i ka pritur prej kohësh planet e reja të SHBA-së.

