Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) u ka dërguar të premten një qarkore të gjitha Drejtorive Komunale të Arsimit, përmes së cilës u kërkon atyre dhe shkollave fillore dhe të mesme të ulëta që të organizojnë shpërndarjen, plotësimin dhe grumbullimin e Deklaratës së prindit/kujdestarit ligjor për nxënësit e klasave 1-9, përfitues të subvencionimit për tekstet dhe materialet shkollore për vitin 2026-2027.
Përmes kësaj deklarate, sipas MASh-it, prindi apo kujdestari ligjor duhet të deklarojë se mjetet e përfituara nga subvencionimi janë përdorur për blerjen e teksteve shkollore dhe se tekstet janë siguruar, ndërsa nxënësi apo nxënësja i ka ato në dispozicion.
Po ashtu, prindi apo kujdestari ligjor duhet të deklarojë se është i vetëdijshëm për mundësinë e verifikimit nga institucionet kompetente lidhur me përdorimin e mjeteve dhe sigurimin e teksteve shkollore.
Në deklaratë, prindi apo kujdestari ligjor duhet të zotohet gjithashtu se tekstet shkollore të destinuara për ripërdorim do t’i kthehen shkollës në përfundim të vitit shkollor, në gjendje të përshtatshme.
“Shkollat do t’ua shpërndajnë deklaratat nxënësve përfitues, ndërsa pas plotësimit dhe nënshkrimit nga prindërit/kujdestarët ligjorë, ato do të grumbullohen dhe evidentohen nga shkollat. Procesi i plotësimit, grumbullimit dhe dorëzimit të deklaratave duhet të përfundojë deri më 1 tetor 2026”, ka thënë MASh-i.

