Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka zbardhur disa prej pikave të diskutuara në mbledhjen e fundit të qeverisë dhe strukturave drejtuese, ku në fokus ka qenë programi i sezonit të ri dhe mënyra e re e ndërveprimit me qytetarët në territor.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama bën me dije se puna do të vijojë me detajimin e programit, duke nisur nga kalendarizimi i “Pranisë Besnike” në çdo territor.
Një tjetër pikë e rëndësishme është ndërveprimi i ri mes qeverisë dhe deputetëve, me synim përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve publike, si në nivel qendror, ashtu edhe në atë vendor, raporton abcnews.al.
Në mbledhje është diskutuar gjithashtu hartimi i ndryshimeve ligjore për “PasqyrAlbania”, platformën që synon të krijojë një mekanizëm më të drejtpërdrejtë për evidentimin dhe adresimin e problematikave të qytetarëve.
“Vijuam sot punën intensive për detajimin e programit të sezonit të ri”, shkruan Rama, duke renditur ndër prioritetet kalendarizimin e “Pranisë Besnike”, mekanizmat e rinj të ndërveprimit qeveri-deputetë dhe ndryshimet ligjore për “PasqyrAlbania”.
Krahas këtyre nismave, kryeministri ka bërë të ditur se është diskutuar edhe progresi në hartimin e nismës së integruar “Shqipëria Sociale”.
Sipas Ramës, kësaj nisme do t’i kushtohet një Konferencë e posaçme Kombëtare gjatë muajit nëntor.
Të treja nismat, “Prania Besnike”, “PasqyrAlbania” dhe “Shqipëria Sociale”, duket se do të jenë pjesë e rëndësishme e axhendës së qeverisë dhe strukturave të PS-së në sezonin e ri, me fokus te prania në territor, shërbimet publike dhe adresimi i problematikave të qytetarëve.

