Ambasada amerikane: Dialogu Strategjik varet nga përmbushja e kushteve

by Nexhat

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka deklaruar se zhvillimi i Dialogut Strategjik SHBA–Kosovë varet nga krijimi i kushteve të përshtatshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve të Kosovës.

Në një përgjigje për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), një zëdhënës i Ambasadës amerikane ka rikujtuar se ky dialog është pezulluar për një kohë të pacaktuar në shtator të vitit 2025.

banner

“Shtetet e Bashkuara e pezulluan për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik SHBA–Kosovë në shtator të vitit 2025, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet që kishte ndërmarrë qeveria e atëhershme në detyrë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane.

Megjithatë, SHBA-ja ka theksuar se mbetet e përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta me Kosovën.

“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës”, thuhet më tej në përgjigje.

Sa i përket mundësisë së rifillimit të dialogut, Ambasada amerikane ka bërë të ditur se ai mund të zhvillohet kur të krijohen kushtet e duhura, duke përmendur në mënyrë të veçantë zotimet e Kosovës ndaj komunitetit serb.

“Presim që Dialogu Strategjik të zhvillohet me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga ana e Kosovës të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, dhënë për RTK-në.

Ditë më parë, presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula në takim me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, ka diskutuar për forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, rikthimin e Dialogut Strategjik dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Sipas njoftimit nga Presidenca, në takim Shiroka Pula ka theksuar se Republika e Kosovës e çmon lart mbështetjen bipartizane e të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleates strategjike dhe partneres së pazëvendësueshme.

Në këtë kontekst, presidentja ka potencuar nevojën e rikthimit të menjëhershëm të Dialogut Strategjik si instrument thelbësor për thellimin e partneritetit strategjik dhe për avancimin e prioriteteve të përbashkëta.

Presidentja ka nënvizuar se synim parësor i Republikës së Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO.

“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara është kyçe në këtë rrugëtim. Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të thotë më shumë siguri dhe stabilitet jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin”, ka deklaruar presidentja Shiroka Pula

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy