Një ngjarje e rëndë ka tronditur Pogradecin, ku një 37-vjeçare shtatzënë, Marjana Karolina Bunaj, ka humbur jetën teksa po transportohej drejt Tiranës për ndihmë të specializuar mjekësore.
Motra e të ndjerës, Albina Mekolli, kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave, duke shtuar se një ndërhyrje apo transport më i shpejtë mund të kishte ndryshuar fatin e motrës së saj.
“Në orën 12 më merr në telefon dhe më tha: Eja se kam dhimbje të forta barku. Shkova shumë shpejt sepse jemi afër. E çova në maternitet sepse ishte shtatzënë. Mjekja roje i bëri një vizitë, një eko dhe tha se ka një gjakderdhje të brendshme”, rrëfeu Albina, shkruan A2.
Sipas motrës, gjatë kësaj kohe u diskutua edhe mundësia e transportit me helikopter, por kjo nuk u realizua.
“Dëgjova që po thonin helikopterin, por u shprehën se nuk vjen dot sepse është natë”, tregoi ajo.
Më tej, sipas dëshmisë së saj, Marjana u dërgua te reanimacioni, ndërsa familjarët pretendojnë se pati vonesa përpara nisjes me ambulancë drejt Tiranës.
“Mjekja foli me dikë dhe erdhën mjekët e reanimacionit, e dërguan atje dhe pati vonesa. Me ambulancë e nisën pas orës 4 të mëngjesit. Në Pogradec nuk iu bë asnjë ndërhyrje kirurgjikale. Në tre orë i vunë vigonë për serume dhe gjak”, deklaroi Albina.

