Në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nisur një mbledhje e Kryesisë, një ditë pas marrëveshjes që e arritën kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku dhe kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti që Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për President të vendit.
Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, një mbledhje do ta mbajë edhe Grupi Parlamentar i kësaj partie.
Kreu i LDK-së tha dje se me LVV-në bënë një “punë të mirë dhe të mbarë” për vendin, duke u dakorduar që Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për President.
Abdixhiku kërkoi që tani “pa vonesa” të konstituuohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria e re dhe të zgjidhet Bekim Sejdiu President.
“Andaj, pa vonesa, le të konstituojmë Kuvendin e Kosovës, le të zgjidhet qeveria e Kosovës dhe le të zgjedhim presidentin e ardhshëm të republikës së Kosovës, Prof. Dr. Bekim Sejdiun”, tha ai dje në një konferencë të përbashkët për media me Kurtin, ku ishte i pranishëm edhe Sejdiu.

