“Shitja” e patentë-shoferëve në Mitrovicë? Kërkohet paraburgim ndaj tre personave për ryshfet

by Nexhat

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve me inicialet H.K., A.G. dhe E.G., të dyshuar për veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 6 shkurt 2026, në objektin e Stacionit të Autobusëve në Mitrovicë, H.K., në cilësinë e instruktorit të një autoshkolle, dhe A.G., ish-instruktor i kësaj autoshkolle, kanë pranuar shuma të panjohura parash me qëllim që t’u mundësonin kandidatëve kalimin e testit teorik për patentë-shofer.

banner

Sipas dyshimeve të Prokurorisë, kandidates K.K. i është montuar në rroba një pajisje elektronike – kamerë, ndërsa në vesh i është vendosur kufje, përmes së cilave dyshohet se i janë komunikuar përgjigjet e sakta gjatë testit. E njëjta mënyrë, sipas Prokurorisë, është përdorur edhe me kandidaten A.D.

Ndërkaq, më 31 gusht 2026, H.K. dhe E.G., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë pranuar para në shuma të panjohura për t’u mundësuar kandidatëve A.R. dhe F.Z. kalimin e testit teorik për patentë-shofer.

Prokuroria pretendon se kandidates A.R. i është dhënë një këmishë e zezë me pajisje elektronike të montuar, si dhe një kufje për vendosje në vesh, ndërsa kandidatit F.Z. një jelek i zi me pajisje elektronike të montuar dhe kufje.

Të dyshuarit, sipas kërkesës, janë udhëzuar që përmes këtyre pajisjeve të pranonin përgjigjet e sakta gjatë testit.

Seanca për caktimin e masës së paraburgimit do të mbahet në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy