Kryeministri Edi Rama deklaroi se reforma në drejtësi ka sjellë një sistem drejtësie që, sipas tij, po vepron i pavarur nga pushteti politik. Rama tha se reforma është meritë e tij dhe e PS-së, ndërsa e cilësoi një proces përmes të cilit pushteti politik dorëzoi “shpatën e drejtësisë” te një sistem gjyqësor i çliruar dhe i pavarësuar.
“Pavarësia e drejtësisë nuk ra nga qielli, nuk e solli as koha, as SHBA dhe as Europa. Ata ndihmuan, por pa ne do të kishin bërë një Noc Rrok. Nuk e solli pavarësinë e drejtësisë sorrat e korbat që bërtasin ‘korrupsion’ dhe shikojnë SPAK-un si armë kundër meje, që i kam mundur dhe i mund në çdo zgjedhje sa herë u bie mendja se më zunë ngushtë dhe më bënë gropën. Nuk është mundja e tyre ajo që më prish gjumin dhe as fryrja e pulëkakarisë së tyre. Kjo lidhet me çfarë po ndodh, me korrupsionin dhe drejtësinë. Nuk kthehet më koha kur pushteti politik dhe pandëshkueshmëria ishin e njëjta gjë. Ka ikur ajo kohë sepse unë dhe PS i hymë detit me këmbë dhe morëm përsipër reformën më të thellë dhe të dhimbshme, aktin e dorëzimit të shpatës së drejtësisë nga duart e pushtetit politik në duart e drejtësisë të çliruar dhe të pavarësuar. E bëra unë, jo se isha naiv, as se nuk e dija që do të kërkonte koka, por sepse ishte imja, jona barra e asaj sakrifice të madhe politike. Sot, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, është vetë sistemi që po shfaq aftësi vetëpastrimi që s’i ka pasur kurrë. Kjo është arritje e madhe, autopsinë e së cilës nuk e negocioj me askënd”, tha Rama.
Sipas Ramës, fakti që drejtësia prek ministra, drejtorë dhe kryetarë bashkish tregon se ajo vepron e pavarur nga pushteti politik.
“Në asnjë vend të mbytur me korrupsion nuk ka luftë frontale kundër korrupsionit. Në asnjë vend të mbytur prokuroria nuk heton vetë pushtetin, por i mbron ata. Në asnjë vend drejtësia nuk prek ministra, drejtorë, kryetarë bashkish, por vetëm rri dhe pret urdhrin e pushtetit për të goditur kundërshtarët. Vendin e mbytur në korrupsion e kemi jetuar të gjithë, ku kryetari i opozitës burgosej me urdhër nga lart, ku protestuesit vriteshin me plumba të paguar nga taksapaguesit, ku fletëthirrjet e prokurorisë për vrasjet shtetërore në mes të bulevardit bëheshin letra higjienike në zyrën e kryeministrit që denigronte prokuroren si lavire bulevardi, ku drejtori i taksave qëndronte në krye të detyrës nga arresti shtëpiak dhe 26 të pafajshëm të vrarë në shpërthimin e një projekti korruptiv të Ministrisë së Mbrojtjes u trajtuan si viktima të fatkeqësisë natyrore. Ata 4 të vrarë në bulevard nuk kanë marrë drejtësi. Korrupsioni sot po përballet me një tjetër sistem, ku po zhvillohen organe që hetojnë në liri dhe pavarësi të plotë. Deri dje korrupsion ishte sistemi, sot sistemi po lufton korrupsionin, ky është ndryshimi epokal. Vetëpastrimi i sistemit është zhvillim i shumëpritur në organizimin e shtetit, pas një agonie të gjatë sa historia e shtetit shqiptar. Pas një agonie të gjatë sa historia e shtetit shqiptar, organizmi i shtetit po fiton imunitet nga sëmundjet e vjetra dhe, kur kjo fazë e zhurmshme, e pistë dhe e dhimbshme të ketë kaluar, kur emrat, sekretet, jargët, shkrofëtimat dhe piskamat e tezgave mediatike të jenë fashitur, kur tymi i pasqyrave dixhitale të jetë shpërndarë dhe pluhurat e kantierit të Reformës në Drejtësi të jenë tretur, atëherë të gjithë do ta shohin se këto zhvillime janë pjesë jetike e ndryshimit rrënjësor pa kthim ku po ecën sot Shqipëria. Sot unë jam kthyer në Shqipëri, por Shqipëria nuk kthehet pas. Askush dhe asgjë nuk do ta ndalë, nuk do të na ndalë, nuk do të më ndalin”, tha Rama.

