Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, nuk ka bërë asnjë reagim publik deri më tani rreth rastit të 103 tonëve mish me afat të skaduar, të cilët autoritetet e Malit të Zi i ndaluan në Portin e Tivarit. Ngarkesat, sipas autoriteteve malazeze, ishin të destinuara për kompaninë kosovare “Apetiti”.
As Muja dhe as Ministria e Bujqësisë nuk kanë dhënë deri tani ndonjë sqarim për këtë rast, derisa ministri në raste të tjera që lidhen me sigurinë ushqimore dhe produktet e konsumit ka qenë i zëshëm, përfshirë rastet që lidhen me produktet e qumështit.
Mishi, me origjinë nga Brazili, u ndalua në dy raste brenda dhjetë ditësh. Në rastin e parë, më 15 shtator, autoritetet malazeze kapën tre kontejnerë me mish viçi të skaduar, me peshë totale prej 77 mijë e 841 kilogramësh.
Sipas Drejtorisë së Doganave të Malit të Zi, gjatë kontrollit ishte konstatuar se deklaratat origjinale, ku shënohej afati i skaduar i përdorimit, ishin hequr dhe ishin zëvendësuar me deklarata të reja me një afat tjetër.
Në rastin e dytë, të enjten, në Portin e Tivarit u ndalua edhe një kontejner me 1 mijë e 321 paketime mish viçi të ngrirë, me peshë bruto prej 24 mijë e 650 kilogramësh. Sipas autoriteteve malazeze, afati i përdorimit kishte skaduar më 14 maj 2026.
Kështu, në të dy rastet, autoritetet malazeze ndaluan tranzitin e 102 mijë e 491 kilogramëve mish, apo gati 103 tonë, të destinuar për kompaninë “Apetiti”.
Drejtoria e Doganave e Malit të Zi ka bërë të ditur se parregullsi të lidhura me këtë kompani janë evidentuar edhe në Portin e Durrësit. Për rastet është njoftuar edhe Organizata Botërore e Doganave, ndërsa mishi i kapur në tre kontejnerët e parë pritet të asgjësohet pas përfundimit të procedurave ligjore.
Kompania “Apetit” ka dhënë versionin e saj për rastin, duke thënë se bëhet fjalë për mish të prodhuar në shkurt të vitit 2026, me afat përdorimi prej 120 ditësh.
Sipas kompanisë, ngarkesat ishte planifikuar të mbërrinin në destinacion brenda 45 deri në 50 ditësh, por transporti u vonua për shkak të problemeve në transportin detar dhe vonesave në portet e tranzitit.
“Apetit” ka deklaruar se ngarkesat kanë qëndruar në magazina doganore në Mal të Zi dhe se asnjë kilogram mish nuk është importuar, zhdoganuar, shitur apo shpërndarë në Kosovë apo në vendet e tjera të rajonit.
Kompania, megjithatë, nuk është deklaruar lidhur me pretendimet e autoriteteve malazeze për heqjen e etiketave origjinale dhe vendosjen e etiketave të reja me afat të ndryshuar.
Ndërkohë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se është në kontakt me autoritetet malazeze dhe është në pritje të informatave të plota zyrtare.
AUV-i ka njoftuar se që nga 18 shtatori ka nisur kontrolle të detajuara ndaj “Apetitit”, duke verifikuar dokumentacionin e importit, origjinën dhe afatet e përdorimit të produkteve, si dhe sasitë e importuara e të shpërndara.
Janë marrë edhe mostra për analiza, ndërsa janë shtuar kontrollet në pikat kufitare dhe në depot e kompanisë.
AUV-i ka paralajmëruar se, në varësi të rezultateve, do të ndërmarrë masa ligjore, përfshirë ndalimin e qarkullimit dhe tërheqjen nga tregu të produkteve që nuk i plotësojnë kriteret e sigurisë ushqimore.

