Parlamenti hungarez heq imunitetin e kryeministrit Magyar dhe të ministrave të epokës së Orbánit – në çështje të ndara penale

by Nexhat

Të hënën, parlamenti i Hungarisë hoqi imunitetin e kryeministrit Péter Magyar dhe të dy ish-ministrave të qeverisë së ish-liderit nacionalist Viktor Orbán, në mënyrë që ata të mund të hetohen në çështje të ndara penale.

Hetimet ndaj ministrave të epokës së Orbán-it, të cilët dyshohen për korrupsion me vlerë miliona euro, janë të parat që lidhen me afera korruptive ndaj figurave të larta qeveritare nga periudha 16-vjeçare e ish-kryeministrit në pushtet.

banner

Magyar, i cili po hetohet veçmas për një rast të dyshuar vjedhjeje, kërkoi vetë heqjen e imunitetit të tij për të pastruar emrin nga ajo që e quajti “njollosje të karakterit”.

Parlamenti votoi me shumicë dërrmuese pro heqjes së imunitetit të tij, si dhe atij të ish-ministrit të Kulturës, Balázs Hankó, dhe ish-ministrit të Zhvillimit, Miklós Seszták.

Partia Fidesz e Orbán-it dhe aleati i saj, KDNP, e bojkotuan seancën.

Votimi erdhi si përgjigje ndaj një kërkese të prokurorëve, të bërë javën e kaluar, për të hetuar tre personat në fjalë.

Në rastin e Magyar-it, prokurorët pretendojnë se kryeministri konservator pro-BE i rrëmbeu telefonin një personi që po e filmonte në një klub nate në vitin 2024 dhe e hodhi atë në lumin Danub.

Magyar e ka cilësuar çështjen si një “farsë” dhe javën e kaluar akuzoi prokurorët se po përpiqeshin “të lidhnin” çështjet e ish-ministrave “me përpjekjen për njollosjen politike të karakterit… e cila ka dështuar tashmë disa herës”.

Hankó, deputet i partisë Fidesz të Orbán-it, akuzohet për përvetësimin e më shumë se 40 milionë eurove nga fondet publike.

Prokurorët pretendojnë se paratë janë përdorur për të ndihmuar në financimin e fushatës zgjedhore parlamentare të vitit 2026 dhe për përfitime personale të individëve të tjerë.

Në muajin korrik, ata sekuestruan serverët e partisë Fidesz në lidhje me këtë çështje, veprim që e shtyu Orbán-in të akuzonte autoritetet për kryerjen e një hetimi të rremë me qëllim që ta bënin partinë “ligjërisht të paaftë për të funksionuar”.

Në një rast tjetër, Seszták, një ligjvënës nga radhët e KDNP-së (parti aleate e Fidesz-it), po hetohet për marrjen e dyshuar të ryshfeteve me vlerë miliona dollarë gjatë kohës që shërbente si ministër i Zhvillimit Kombëtar, në periudhën 2014-2018.

Çështja ka të bëjë me blerjen e autobusëve të përdorur me çmime të fryra.

Të dy ministrat e epokës së Orbán-it i mohojnë akuzat për shkelje.

Magyar, partia e të cilit (Tisza) erdhi në pushtet në prill me premtimin për të hetuar korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës gjatë sundimit 16-vjeçar të Orbán-it, ka deklaruar se synon ta heqë plotësisht imunitetin parlamentar për veprat penale që ndiqen penalisht nga organet publike. 

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy