Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me situatën politike, ku ajo konstatoi se Kuvendi është konstituar.
Në aktgjykimin e plotë, Kushtetuesja, jep shpjegimet e saj lidhur me mënyrën e votimit për nënkryetarët, duke theksuar se, votimi në pako ose veç e veç i nënkryetarëve është në vullnetin e deputetëve.
‘‘Në këtë kuptim, Gjykata sërish thekson që mënyra e votimit të Nënkryetarëve të Kuvendit, në pako apo veç e veç, mbetet në vullnetin e deputetëve, me kushtin që mënyra e propozuar e votimit të Nënkryetarëve ti nënshtrohet procedurës së votimit nga shumica e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit. Si rrjedhojë, Gjykata konsideron se propozimi i votuar për votimin e nënkryetarëve të Kuvendit veç e veç nuk është në kundërshtim me nenin 67 të Kushtetutës’’, ka shpjeguar Gjykata.
Gjykata po ashtu, ia njeh të drejtën partisë së dytë për pozitën e nënkryetarit, duke bërë thirrje që Kuvendi ta zgjedh atë.
‘’Rrjedhimisht, në kuptim të së drejtës së grupit të dytë më të madh parlamentar për përfaqësim në Kryesinë e Kuvendit, Gjykata konstaton që deputetët Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që sa më parë të zgjedhin Nënkryetarin nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar në pajtim me paragrafin 3 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës’’, thuhet nga Gjykata.
Megjithatë, në aktgjykim, Gjykata Kushtetuese ‘hesht’ lidhur me mosvotimin e Çitakut nga disa deputetë, pavarësisht se PDK’së i takon kjo pozitë.

