Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim një grup diplomatësh evropianë dhe ekspertësh në kuadër të iniciativës Dialogu Strategjik për Zgjerimin”.
Gjatë takimit, sipas Maqedoncit, u diskutua për zhvillimet në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, procesin e zhvillimit të kapaciteteve si dhe situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë.
Maqedonci tha se me pjesëmarrësit ndau këndvështrimin e Kosovës për kërcënimet hibride dhe sfidat e sigurisë, duke theksuar masat që po ndërmerren në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Ai veçoi gjithashtu angazhimin e Kosovës përtej kufijve të saj përmes pjesëmarrjes në operacione ndërkombëtare në mbështetje të paqes në Evropë dhe Lindjen e Mesme.
Sipas tij, Kosova synon të ndërtojë një forcë moderne dhe profesionale dhe të kontribuojë aktivisht në sigurinë dhe paqen ndërkombëtare

