Ivan Anushiq: Kroacia ka përgjigje për ushtrinë serbe

by Nexhat

Kroacia do të rivendosë ekuilibrin ushtarak në rajon duke forcuar mbrojtjen e saj, deklaroi ministri i Mbrojtjes Ivan Anushiq në Zarë, duke iu referuar rritjes së kapaciteteve ushtarake të Serbisë dhe duke e përshkruar retorikën e saj si agresive dhe armiqësore.

“Kroacia është e vetëdijshme se Serbia prej një dekade po e armatos intensivisht ushtrinë e saj me sisteme sulmuese me aftësi të larta dhe nuk ka hequr dorë nga lloji i retorikës “që përdorte në vitet ’90”, retorikë që çoi në luftëra të përgjakshme në Slloveni, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë,” tha ministri në konferencën ndërkombëtare të industrisë së mbrojtjes “EU 4 Defence Readiness”.

banner

Ai theksoi se raportet mbi zotërimin nga ana e Serbisë të raketave hipersonike me rreze veprimi deri në 400 kilometra, për të cilat “ish-presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se mund të godisnin çdo kryeqytet në rajon”, ofronin motivim të mjaftueshëm që Kroacia të kërkonte një “kundërpërgjigje”.

“Ne kemi një kundërpërgjigje. Kemi sistemin raketor Chunmoo – një sistem me rreze të gjatë, me një rreze më të madhe se ajo që zotërojnë ata,” deklaroi Anushiq, ndonëse shtoi se nuk dëshironte të hynte në debat se “kush e ka sistemin raketor me rrezen më të madhe”.

“Por Kroacia tashmë zotëron – dhe shumë shpejt do ta vërë plotësisht në funksion – përgjigjen ndaj asaj që kanë ata. Ne do të rivendosim ekuilibrin e forcave ushtarake në këtë territor, në këtë rajon të Evropës Juglindore,” tha Anushiq, duke e cilësuar këtë si “vendimtare”.

Ai bëri thirrje për forcimin e Kroacisë në mënyrë që ideja e sulmit ndaj saj të mos i shkonte kurrë askujt ndërmend, si dhe inkurajoi bashkëpunimin me aleatë si Kosova dhe Shqipëria.

Në fillim të shtatorit, Kroacia nënshkroi kontrata me kompaninë koreano-jugore Hanwha Aerospace për blerjen e 18 sistemeve vetëlëvizëse të lëshimit të shumëfishtë të raketave Chunmoo K239. Në atë kohë, Anushiq theksoi se, krahas avionëve luftarakë Rafale, këto do të përbënin “forcën kryesore dhe më të fuqishme goditëse” të ushtrisë kroate, raporton KosovaPress.

Në mars, Vuçiq konfirmoi se Serbia zotëronte raketa balistike hipersonike ajër-tokë, duke pohuar se vendi nuk kishte ndërmend të sulmonte askënd. Megjithatë, ai shprehu shqetësimin se Serbia mund të bëhej shënjestër e një sulmi të ardhshëm nga një aleancë e supozuar ushtarake midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy