Një 38-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi u kap duke qarkulluar me automjet, ndërsa mbante pa leje një armë zjarri dhe municion luftarak.
Operacioni policor është koduar “Gjurma” dhe u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale Tiranë, shkruan vizionplus.tv.
Policia, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, ndaloi automjetin në rrugën “Perlat Rexhepi”. Në automjet ndodhej 38-vjeçari D. K., banues në Durrës, i cili u vu nën kontroll nga efektivët.
Gjatë kontrollit, në çantën marsup të drejtuesit u gjet një armë zjarri pistoletë. Ndërkohë, poshtë sediljes së drejtuesit u gjetën dhe u sekuestruan 23 fishekë.
Në përfundim të operacionit, 38-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij është ngritur akuza për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Arma e zjarrit dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

