Vera jashtëzakonisht e nxehtë dhe e thatë e vitit 2026 po reflektohet në çmimet që konsumatorët zviceranë paguajnë këtë vjeshtë, veçanërisht për produktet bujqësore dhe energjinë
Temperaturat rekord dhe thatësira e zgjatur gjatë verës kanë goditur rëndë bujqësinë zvicerane. Sipas Unionit Zviceran të Fermerëve (SBV), humbjet totale të sektorit bujqësor gjatë vitit 2026 pritet të arrijnë rreth 500 milionë franga, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.
Patatet dhe produktet e qumështit më të shtrenjta
Një nga produktet më të prekura janë patatet. Prodhimi këtë vit është rreth 20% më i ulët se mesatarja e gjashtë viteve të fundit, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga kushtet atmosferike. Kjo pritet të sjellë çmime më të larta në supermarkete, ndërsa edhe patatet e skuqura dhe çipsat e prodhuara në Zvicër mund të jenë më të vogla dhe më të shtrenjta.
Rritje pritet edhe te qumështi dhe produktet e tij, përfshirë kosin, gjalpin dhe djathin. Sipas artikullit, çmimi i qumështit pritet të rritet me të paktën 4 cent. Thatësira ka shkaktuar mungesë bari dhe sanë për ushqimin e lopëve, duke ndikuar edhe në prodhimin e qumështit.
SBV paralajmëron se edhe pemët dhe perimet mund të shtrenjtohen si pasojë e prodhimit më të dobët dhe kostove më të larta të ujitjes.
Benzina dhe nafta për ngrohje
Pasojat e thatësirës nuk kufizohen vetëm te ushqimet. Niveli i ulët i ujit në lumin Rhine ka kufizuar sasinë e karburanteve që cisternat mund të transportojnë nga portet e Detit të Veriut drejt Bazelit. Kjo ka kontribuar në rritjen e çmimit të benzinës.
Ndikimi mund të bëhet edhe më i dukshëm me afrimin e dimrit. Nafta për ngrohje është mbi 30% më e shtrenjtë se një vit më parë, sipas të dhënave të cituara nga The Local. Një pjesë e konsiderueshme e furnizimit të Zvicrës importohet pikërisht përmes Rhine-it.
Në përgjithësi, vera e vitit 2026 ishte sipas meteorologëve më e nxehta në Zvicër që nga fillimi i matjeve në vitin 1864, si dhe një nga më të thatat, duke krijuar pasoja që tashmë po ndihen në buxhetet familjare.

