Kreu i Aleancës, Ardian Gjini, ka uruar Presidenten e re të Republikës, Justina Shiroka-Pula, duke shkruar se me përmbylljen e procesit të konsolidimit institucional, Kosovës i kanë përfunduar bllokadat politike dhe zgjedhjet e vazhdueshme.
Gjini ka deklaruar se ky zhvillim është lajm i mirë për stabilitetin e vendit dhe qytetarët.
“Urime dhe suksese Presidentes së re të Republikës, Justina Shiroka-Pula!”, ka shkruar Gjini.
Ai shkroi, se Aleanca, sipas tij, nuk ka hyrë në pazare politike dhe as në kalkulime të minutës së fundit, duke theksuar se partia kishte dalë me një ofertë të qartë menjëherë pas zgjedhjeve.
“Sot, bashkë me të gjithë kolegët e mi në Aleancë, para votuesve tanë dhe qytetarëve të Kosovës, jemi me kokën lartë. Aleanca nuk ka hyrë në lojërat e diktuara për pushtet e as në kalkulimet e minutës së fundit. Ne kemi qenë të parët që kemi dalë me ofertë të qartë dhe të sinqertë menjëherë pas zgjedhjeve, sepse e kemi ditur që Kosova nuk ka nevojë të zvarritet e të shkojë sërish në zgjedhje. Oferta jonë pa asnjë kusht, ishte ekskluzivisht parimore, për shtetin dhe për qytetarët, njëjtë si qëndrimi jonë për Specialen dhe vota pro ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Nuk bëmë asnjë pazar dhe secilin premtim dhe qëndrim e mbajtëm deri në fund”, u shpreh Gjini.
Gjini tha se tash përgjegjësia për qeverisjen u takon atyre që kanë marrë pushtetin, ndërsa Aleanca do të fokusohet në punën në terren.
“Sot, koha e bllokadave mbaroi dhe përgjegjësia absolute u mbetet atyre që morën pushtetin. Prandaj, nga sot, puna jonë zhvendoset në terren. Aleanca do të jetë çdo ditë në terren, duke takuar e dëgjuar qytetarët në çdo komunë të Kosovës. Ne do të jemi opozitë e pakompromis. Do të flasim hapur dhe me emër për secilën shkelje, në secilin institucion dhe në çdo nivel të këtij pushteti.Nuk ka më hapësirë për arsyetime!”, theksoi Gjini.

