Senatorët amerikanë Dick Durbin dhe Jeanne Shaheen do ta vizitojnë Kosovën në kuadër të një turneu në Ballkanin Perëndimor, gjatë të cilit po diskutojnë për sigurinë rajonale, institucionet demokratike, zhvillimin ekonomik dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Durbin, zëvendëskryetar i grupit demokrat në Senatin amerikan, dhe Shaheen, anëtarja demokrate e rangut më të lartë në Komitetin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, kanë përfunduar vizitën në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa në kuadër të këtij turneu do të vizitojnë edhe Shqipërinë, Malin e Zi, Kroacinë dhe Kosovën.
Kjo do të jetë vizita e fundit e Durbin në kuadër të një delegacioni kongresional si senator amerikan. Ai e kishte vizituar Ballkanin edhe në vitet 1999 dhe 2009.
Gjatë qëndrimit në vendet e rajonit, senatorët do të takohen me zyrtarë qeveritarë, përfaqësues diplomatikë amerikanë, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe liderë të rinj.
Sipas njoftimit, në fokus të takimeve do të jenë proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, bashkëpunimi me NATO-n, diversifikimi i burimeve të energjisë dhe zbatimi i Aktit për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, të miratuar si pjesë e Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026.
Gjatë vizitës në Bosnjë e Hercegovinë, delegacioni ka pasur të planifikuar edhe vizitën në Qendrën Përkujtimore dhe Varrezat e Srebrenicës në Potoçari, si dhe pjesëmarrjen në një performancë të grupit artistik “House of Good Tones”.
Durbin tha se vizita në rajon vjen në një kohë të rëndësishme, vetëm pak ditë pas zgjedhjeve në Bosnjë e Hercegovinë, duke theksuar se, ndonëse disa shtete të dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë janë anëtarësuar në NATO dhe Bashkimin Evropian, sfidat vazhdojnë edhe tri dekada pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit.
“Vizita jonë do të dëshmojë interesimin e vazhdueshëm të SHBA-së për të parë përparim dhe vazhdim të pajtimit në rajon”, deklaroi Durbin.
Ndërkaq, Shaheen tha se gjatë vizitës do të takohet me zyrtarë, liderë të rinj dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar sigurinë, mundësitë ekonomike dhe marrëdhëniet e vendeve të rajonit me Shtetet e Bashkuara

