Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur sot mbledhjen e parë me kryesuesin e ri të tij, Driton Gojani.
Në hapje të kësaj mbledhje, Gojani falënderoi anëtarët e mëhershëm të Bordit, anëtarët aktualë, stafin e ZRRE-së dhe përfaqësuesit e mediave për bashkëpunimin e deritanishëm, duke shprehur “përkushtimin për bashkëpunim të mëtejmë në përmbushjen e mandatit dhe objektivave të ZRRE-së, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit të energjisë në Kosovë”.
Sipas njoftimit të ZRRE, bordi mori disa vendime ku ndër të tjera shqyrtoi dhe miratoi aplikacionet për licencimin e TC „Kosova A” për aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike dhe të KEK sh.a. – TC „Kosova B” për aktivitetin e bashkëprodhimit të energjisë elektrike dhe termike, me afat vlefshmërie nga 09.10.2026 deri më 17.08.2028.
Gjithashtu, Bordi miratoi 53 aplikacione për autorizim për vetëkonsum, prej të cilave 46 nga persona fizikë dhe 7 nga persona juridikë, me kapacitet total të instaluar prej 816 kË.
Në kuadër të kësaj seance, Bordi shqyrtoi edhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e ZRRE-së.
Të gjitha vendimet e Bordit të ZRRE-së do të publikohen në faqen elektronike të ZRRE-së, u tha në njoftim.

