Çmimet në Kosovë kanë vazhduar të rriten, me inflacion vjetor prej 7.8 për qind në shtator, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Rritja më e madhe është shënuar te transporti dhe shpenzimet për banim e energji.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), çmimet e konsumit në shtator janë rritur për 0.2 për qind edhe në raport me muajin gusht.
Rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar te transporti, me 23.9 për qind, ndërsa shtrenjtim i ndjeshëm është evidentuar edhe te grupi i banimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse, me 11.9 për qind.
Rritje të çmimeve janë regjistruar edhe te pijet alkoolike dhe duhani, me 6.3 për qind, restorantet dhe akomodimi, me 5.2 për qind, si dhe shëndetësia, me 4.5 për qind.
Ndërkohë, çmimet e mobilieve dhe pajisjeve shtëpiake janë rritur për 3.5 për qind, veshjet dhe këpucët për 3 për qind, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike për 2.4 për qind.
Rritje më të vogla janë shënuar edhe në kategoritë e rekreacionit, sportit dhe kulturës, informacionit dhe komunikimit, si dhe shërbimeve financiare dhe sigurimeve.
E vetmja kategori që ka shënuar rënie të çmimeve është ajo e shërbimeve arsimore, me 0.3 për qind.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se presioni i çmimeve vazhdon të ndihet në ekonominë familjare, veçanërisht për shkak të shtrenjtimit të transportit dhe shpenzimeve për banim e energji

