Seanca në Gjykatën e Apelit, ku do të shqyrtohet ankesa e Naim Murselit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, është caktuar për në fund të këtij muaji.
Raportohet se seanca do të mbahet më 29 tetor, në orën 09:50.
Në ankesën prej 30 faqesh, që ishte dorëzuar nga dy avokatët e tij, kërkohet ndryshimi i dënimit, raporton Klankosova.
Naim Murseli po kërkon që aktgjykimi të prishet, ose edhe të merret dënim më i butë.
Në ankesë pretendohet se gjykata e shkallës së parë i ka vlerësuar provat në mënyrë të njëanshme dhe selektive, ndërsa mbrojtja ngre pretendime edhe për mënyrën e marrjes në pyetje të Murselit nga policia.
Avokatët thonë se nuk janë marrë parasysh disa nga propozimet e mbrojtjes, përfshirë rikonstruktimin e vendit të ngjarjes dhe ekzaminimin e rrobave të Murselit.
Se çka thuhet në ankesë mund ta ndiqni në kronikën e Klanit, të datës 26 gusht.

