Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dënuar linçimin publik, kërcënimet dhe presionin ndaj gazetarëve Fidan Jupolli dhe Lirim Mehmetaj, duke kërkuar reagim të shpejtë nga institucionet e Kosovës.
Në një reagim të publikuar të martën, IKD ka vlerësuar se këto veprime cenojnë sigurinë e gazetarëve, lirinë e shprehjes dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.
IKD ka theksuar se gazetarët duhet ta ushtrojnë profesionin pa frikë dhe presion, ndërsa ka kërkuar hetim të plotë dhe të paanshëm për kërcënimet ndaj Mehmetajt, i cili ka deklaruar se është kërcënuar pas refuzimit për ta larguar një postim kritik ndaj deputetit Fatos Geci.
Instituti ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të dënojë publikisht këto veprime dhe të kërkojë ndaljen e tyre. Sipas IKD-së, heshtja e Qeverisë mund të krijojë perceptimin e tolerimit të presionit ndaj gazetarëve.
Po ashtu, IKD i ka bërë thirrje presidentes së re, Justina Shiroka-Pula, që të reagojë publikisht dhe pa vonesë, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse mbrojtjen efektive të gazetarëve.
IKD ka kërkuar nga Policia dhe Prokuroria e Shtetit hetim të shpejtë, të pavarur dhe efektiv për kërcënimet, si dhe vlerësim të rrezikut dhe masa mbrojtëse për gazetarët e ekspozuar dhe familjarët e tyre.
Në reagim, IKD ka rikujtuar se liria e shprehjes dhe e mediave garantohet me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se mospajtimi me qëndrimet e një gazetari nuk e arsyeton kërcënimin apo presionin ndaj tij.

