Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kërkuar në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës që grupet parlamentare të angazhohen për nisjen e një mocioni në Këshillin e Evropës, përmes të cilit do të verifikoheshin burimet dhe do të sqarohej metodologjia e raportit të Dick Martit.
Nga foltorja e Kuvendit, Hoxhaj tha se kjo nismë duhet të shoqërohet edhe me kërkesën për përmbylljen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas tij, për inicimin e mocionit nevojiten 20 nënshkrime nga përfaqësues të pesë-gjashtë vendeve.
Duke folur për zanafillën e raportit dhe pretendimet për trafikim organesh, Hoxhaj e cilësoi atë si pjesë të luftës hibride ruse kundër Kosovës.
“Ky mocion dhe ky raport ka qenë pjesa më komplekse, më goditëse e luftës hibride ruse kundër pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës”, deklaroi ai.
Hoxhaj shprehu bindjen se mospërmbyllja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës lidhet me Gjykatën Speciale. Ai argumentoi se anëtarësimi do t’i mundësonte Kosovës të kundërshtonte vendimet që dalin nga kjo gjykatë.
“Nëse sot Kosova do të ishte pjesë e Këshillit të Evropës, jam i bindur që do të mund ta ankimonim çdo vendim që del nga Gjykata Speciale”, tha Hoxhaj.
Ai u bëri thirrje partnerëve evropianë që e mbështesin Gjykatën Speciale të angazhohen për këtë nismë dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Hoxhaj kritikoi qëndrimin e tyre të mëhershëm, duke thënë se nuk kishin treguar vullnet për ta parandaluar miratimin e rezolutës që lidhej me raportin.
Në përfundim, ai kërkoi nga udhëheqja e Kuvendit, Qeveria dhe të gjitha grupet parlamentare që inicimi i mocionit të përfshihet në rendin e ditës të mbledhjes së ardhshme të Kryesisë së Kuvendit.

