Gjatë ditëve të fundit, individë dhe media të caktuara kanë raportuar dhe shpërndarë shkrime të ndryshme për “arrestime të personave zyrtarë”, të cilat kanë krijuar konfuzion në publik dhe pasiguri juridike, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Në lidhje me këtë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit bën thirrje që për çështjet që ndërlidhen me punën dhe veprimet e Prokurorit të Shtetit “të bazoheni vetëm në informacione zyrtare dhe të konfirmuara nga vetë institucioni, si dhe të shmangni çdo informacion tjetër që nuk është zyrtar dhe i konfirmuar”.
Kryeprokurori i Shtetit siguron qytetarët e vendit se do të kujdeset që institucioni i Prokurorit të Shtetit “të trajtojë çdo rast penal në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet në fuqi dhe standardet më të larta të drejtësisë”, përfundon reagimi.

