Jakup Krasniqi ka refuzuar kontrollin mjekësor nga mjekët në Hagë, duke deklaruar se nuk do të pranojë më kujdes shëndetësor nga institucionet atje. Këtë e ka bërë të ditur vajza e tij, Gresa Krasniqi, e cila ka shprehur shqetësim për shëndetin e të atit pas një bisede telefonike me të, duke theksuar se vendimi i tij lidhet me pakënaqësinë ndaj trajtimit që, sipas tij, po i bëhet në Hagë.
Gresa Krasniqi, vajza e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka shprehur shqetësimin e saj pas një bisede telefonike me të atin, i cili është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Përmes një postimi, Gresa ka bërë të ditur se gjatë telefonatës, babai i saj i ka treguar se kishte refuzuar kontrollin nga disa mjekë, duke shprehur pakënaqësi ndaj trajtimit që, sipas tij, po i bëhet në institucionin e paraburgimit.
Sipas saj, Jakup Krasniqi ka deklaruar se nuk do të pranojë më kujdes mjekësor nga institucionet përkatëse, pasi ndihet i padrejtësisht i trajtuar dhe i privuar nga të drejtat e tij.
Gresa ka thënë se ky qëndrim e shqetëson veçanërisht për shkak të moshës së babait të saj dhe nevojës për kujdes shëndetësor.
Ajo ka shprehur dilemat që, sipas saj, i ka krijuar kjo situatë, duke theksuar vështirësinë për ta bindur të atin të pranojë ndihmën mjekësore nga një sistem ndaj të cilit ai ka humbur besimin.
“Si mund t’i kërkoj të pranojë kujdesin e atyre institucioneve, kur ai ndihet i tradhtuar pikërisht nga drejtësia që duhej ta mbronte?”, ka shkruar ajo.
Në reagimin e saj, Gresa ka shprehur edhe ndjenjën e pafuqisë përballë situatës me të cilën, sipas saj, po përballet familja.
“U ndjeva aq e pafuqishme përballë kësaj fuqie ndërkombëtare kaq të padrejtë. Ne jemi këtu, Babi. Të duam të fortë, të duam të shëndetshëm”, ka deklaruar ajo.
Në fund të postimit, vajza e Jakup Krasniqit ka kundërshtuar vendimin e gjykatës, duke e cilësuar atë si padrejtësi dhe jo si një gabim që mund të korrigjohet.
“Dënimi i Babit nuk është një gabim që pret të korrigjohet. Është një padrejtësi”, ka shkruar Gresa Krasniqi.

