Komisioni për Buxhet nuk e ka mbështetur amendamentin për ndarjen e një milion eurove shtesë për pajisje, proteza dhe mjete të tjera mjekësore për invalidët e luftës, në kuadër të shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Amendamenti i propozuar nga Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Persona të Pagjetur, nuk mori mbështetjen e anëtarëve, pasi pesë votuan për, asnjë kundër dhe pesë abstenuan.
Kryetari i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti, e prezantoi amendamentin që parasheh ndarjen e mjeteve shtesë për këtë kategori.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se kjo çështje tashmë është e rregulluar përmes një udhëzimi administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë, i miratuar në mars të vitit 2024, dhe se mbulimi bëhet përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Ndërkaq, Haliti theksoi se sipas informatave të marra nga Ministria e Shëndetësisë gjatë vitit 2024 janë nxjerrë dy vendime të veçanta për invalidët e luftës së UÇK-së dhe invalidët civilë të luftës, përmes të cilave është përcaktuar mundësia e mbulimit financiar për protezat.
Megjithatë, deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, e mbështeti amendamentin, duke thënë se invalidët e luftës vazhdojnë të paraqesin ankesa për mbulimin e shpenzimeve të protezave.
Edhe deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, e vlerësoi të qëlluar amendamentin, duke thënë se invalidët e luftës janë përballur me vështirësi në sigurimin e protezave dhe se, sipas saj, shpesh kanë pasur nevojë për ndihmën e miqve dhe të bashkatdhetarëve në diasporë.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se përkrah amendamentin, por vlerësoi se çështja duhet të zgjidhet në mënyrë të përhershme, duke i përfshirë shpenzimet për protezat në buxhetin e rregullt të Klinikës së Ortopedisë në QKUK.

