Komisioni për Buxhet nuk e ka mbështetur amendamentin e deputetës së Aleancës, Teuta Haxhiu, për ndarjen e 600 mijë eurove për ndërtimin e një kompleksi memorial për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Propozimi i deputetes Haxhiu është bërë në kuadër të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026.
Amendamenti mori katër vota për, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime.
Haxhiu tha se kërkesa për ndërtimin e memorialit është e domosdoshme, duke theksuar se, edhe pas 27 vjetësh, nuk ekziston një vend ku mund të vendosen lule në kujtim të fëmijëve të vrarë e të zhdukur gjatë luftës.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, kundërshtoi amendamentin, duke thënë se ndërtimi i memorialit është përgjegjësi e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, në kuadër të Ministrisë së Kulturës.
Ai gjithashtu vlerësoi se koha e mbetur deri në fund të vitit nuk lejon realizimin e një projekti të tillë përmes rishikimit të buxhetit.
“Memoriali është veprimi që i takon Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, që është në kuadër të Ministrisë së Kulturës, e dyta, po propozoni ndarje buxhetore për një projekt në fund të muajit tetor, pra për një rishikim i cili hyn në fuqi fillimisht në fillim të nëntorit, dhe janë më pak se 2 muaj deri në skadimin e këtij buxheti. Pra, edhe ju jeni të vetëdijshëm që kjo nuk bëhet. Arsyeja pse po e bëni, ndoshta e dini ju më mirë, mirëpo ju e dini që propozimi tash, kur kanë mbetur edhe 2 muaj deri në fund të vitit, ku prapë e hyn në fuqi ligji, me u iniciu procedurat e prokurimit, me u shpall fitusi me u trajtu ankesat, e gjitha këto edhe tek pastaj a mund të arrihet që të nënshkruhet kontrata, e kurrë me u kry puna, kur e gjitha kjo duhet të përmbyllet para datës 31 dhjetor, apo jo?”, tha Murati.
Ai e cilësoi propozimin si jo serioz në aspektin e procedurave buxhetore dhe kërkoi që çështja të trajtohet në rrugë institucionale.
“Prandaj e shoh që nuk është qasja shumë serioze, mirë për fjalimin e gjitha këto, pyetja do të ishte edhe: çka keni bërë ju për të gjitha vitet, sa keni qenë në pushtet, se pajtohem me fjalimin që e thatë, pra është e dhimbshme që s’ka një memorial të tillë, megjithatë le ta trajtojmë institucionalisht si duhet, pra e jo me deklarata politike elektorale, sepse s’kemi zgjedhje”, tha ministri.
Në përgjigjen e saj, Haxhiu tha se kërkesa për ndërtimin e memorialit nuk është e re dhe se për këtë projekt, sipas saj, kishte pasur kode buxhetore edhe në qeveritë e kaluara.
“Në praktikën e ministrave të financave, ka modele që e kanë jo vetëm profesionalizmin, por edhe kulturën. E para, nëse në këtë aspekt e quani joserioze një kërkesë të tillë, unë jam rikthyer, ministër, deputete, kam qenë prej 2010-ës deri në 2021-ën, jam rikthyer, sot nesër dhe drejt kryhet një projekt i tillë, sa herë të është mundësia. Po ta rikujtojmë, mos më ndërhy, po po ta rikujtoj, ka pas kod, po ta rikujtoj ty, kthehu mbrapa, ka pas kod në qeverinë e Hashim Thaçit, ka pas kod, pas kod ndam në qeverinë Haradinaj, kqyri. Unë jam nënë edhe jam gjyshe, unë e kam ndjeshmërinë në këtë aspekt, flasim për 600.000 euro”, tha Haxhiu.
Ndryshe, ky komision nuk e ka miratuar as amendamentin për ndarjen e 1 milion eurove shtesë për pajisje, proteza dhe mjete të tjera mjekësore për invalidët e luftës.

