Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me përhapjen e disa informacioneve në rrjetet sociale, të cilat i cilëson si të pavërteta dhe me qëllim dëmtimin e imazhit të saj.
Në një deklaratë për mediat, Albert Nushi, shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, ka sqaruar pretendimet për dërgimin e mesazheve intimiduese ndaj mësuesve dhe pedagogëve, ku u thuhej se ishin filmuar gjatë protestës nga Policia dhe do të përballeshin me akuza.
Sipas Policisë, mesazhet nuk janë dërguar nga institucionet e saj, por nga persona ende të paidentifikuar, me qëllim përhapjen e panikut dhe dëmtimin e besimit të qytetarëve te uniformat blu.
“Gjatë ditës së djeshme, disa mësuesve dhe pedagogëve u janë dërguar mesazhe në emër të Policisë së Shtetit, me përmbajtje intimiduese, ku pretendohet se ata janë filmuar nga Policia gjatë pjesëmarrjes në tubim dhe se do të kontaktohen për t’u komunikuar akuza. Sqarojmë se këto mesazhe nuk janë dërguar nga Policia e Shtetit, por nga persona ende të paidentifikuar, me qëllim përhapjen e panikut dhe dëmtimin e besimit të qytetarëve te Policia. Sigurojmë mësuesit dhe pedagogët se e drejta për t’u tubuar paqësisht është një e drejtë kushtetuese dhe se Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor ta respektojë dhe garantojë atë. Në të gjitha njoftimet dhe daljet publike të përfaqësuesve të Policisë së Shtetit është bërë e qartë se kjo e drejtë respektohet dhe garantohet. Çdo pretendim i kundërt është i pavërtetë dhe dashakeq”, tha Nushi.
Ai ka përgënjeshtruar gjithashtu lajmet për dorëheqje masive nga radhët e saj, si dhe pretendimet se drejtuesit e policisë kanë dhënë urdhra të kundërligjshëm për ushtrimin e dhunës gjatë tubimeve.
“Sqarojmë opinionin publik se lajmet e publikuara për dorëheqje masive nga radhët e Policisë së Shtetit janë të pavërteta. Po ashtu, sigurojmë qytetarët se asnjë drejtues policie nuk ka dhënë urdhra të kundërligjshëm për ushtrimin e dhunës gjatë ditëve të tubimit”, tha Nushi.
Nushi thekso se e drejta për t’u tubuar paqësisht është e drejtë kushtetuese dhe u bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e informacioneve të rreme.
“Policia e Shtetit është në shërbimin tuaj, në zbatim të ligjit, për garantimin e jetës, pronës dhe të drejtave tuaja. Ju bëjmë thirrje të mos bini pre e informacioneve të rreme që synojnë të cenojnë misionin ligjor të Policisë së Shtetit dhe besimin tuaj tek ajo”, tha ai.
Në deklaratë, Nushi ka sqaruar edhe pamjet e publikuara nga Rinasi, ku pretendohej se shtetas të huaj silleshin në Shqipëri për t’u mbajtur në burg. Sipas Policisë, bëhet fjalë për shtetas që transportohen nga Italia drejt Gjadrit, në qendrën e pritjes për emigrantët e paligjshëm.
“Lidhur me pamjet e publikuara nga Rinasi, ku pretendohet se shtetas të huaj sillen në Shqipëri, për t’u mbajtur në burg, sqarojmë se këto pretendime janë të pavërteta. Bëhet fjalë për shtetas që transportohen nga Italia drejt Gjadrit, në qendrën e pritjes për emigrantët e paligjshëm”, tha ai.

